Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë 137 vite burg për 9 të pandehur të “Bandës së vrasësve me pagesë” dhe heqje lirie përjetë për të cilësuarin kapo të saj Admir Tafilin. As Tafili që ndodhet në burg për vrasje dhe as i penduari Kristi Pine nuk kanë qenë në seancë. Vetëm 4 prej të akuzuarve kanë qenë të pranishëm në gjyq, dy prej tyre të mbyllur në kafazin e xhamit. Në fund të seancës, kur gjykatësi ka shqiptuar dënimin, kur pritej edhe ndonjë lutje apo lot nga të akuzuarit, dy të pandehurit në kafaz Elson Merdani, i dënuar me 35 vite burg dhe Dritan Peksani, me 25 vite burg kanë ironizuar vendimin duke duartrokitur. Ata janë larguar më pas nga seanca duke buzëqeshur.