Rastet pozitive me virus janë rikthyer në Shkodër pas një periudhe relative qetësie. Në mes të infektuarve, ka edhe punonjës të sherbimit shendetësor. Tashmë është mësuar se të infektuar ka patur edhe në personelin e Poliklinikës së Specialiteteve apo siç njihet në Shkodër, Poliklinika Qendrore. Mësohet se kanë rezultuar pozitive sanitare që punojnë aty.
Ndërsa po mendohet e po punohet për dezinfektimin e ambjenteve, i cili për hir të realitetit është bërë disa herë edhe nga punonjës të caktuar për këtë qëllim nga Bashkia e Shkodrës, nuk po kryhet procesi tjetër më i rëndësishëm: Testet- tampon për stafin e kësaj poliklinike në zemër të qytetit dhe me fluks jo të vogël qytetarësh.
Edhe pse është kërkuar me ngulm nga punonjës dhe përfaqësues të sindikatës përkatëse, deri tani nuk janë kryer teste- tampon për punonjësit. Lajmi konfirmohet për ShkodraWeb Media nga vetë punonjës, të cilët natyrisht, nuk duan të identifikohen. Sipas protokollit, kur rezultojnë raste pozitive me virus, i gjithë personeli duhet të kryejë testin- tampon. Deri më sot, kjo nuk ka ndodhur. Gjithçka është kufizuar vetëm në dezinfektimin e ambjenteve, duke mbyllur për disa orë apo dy ditë ambjentet.
Duke qenë në qendër të qytetit dhe duke ofruar një gamë të gjërë sherbimesh, Poliklinika e Specialiteteve mbetet të bazë për përhapjen e mëtejshme të infeksionit në Shkodër nëse nuk kryhen testen tampon për personelin. Aq më shumë, kur një pjesë e konsiderueshme e punonjësve, qarkullojnë edhe në institucione të tjere shendetësore të Shkodrës, siç është edhe Spitali Rajonal i Shkodrës. /ShkodraWeb Media/