Shqetësimet e komuniteteve fetare për moskthimin e pronave të konfiskuara gjatë regjimit komunist, si dhe vështirësitë për marrjen e lejeve nga disa autoritetet lokale për ndërtimin e institucioneve të kultit janë evidentuar edhe në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit mbi liritë e besimit gjatë vitit 2019 për Shqipërinë.
Për këtë raport ka reaguar edhe kreu i shtetit, Ilir Meta, i cili thotë se ndan të njëjtat konkluzione për këto shqetësime. Meta apelon “që të gjitha shqetësimet e ngritura në raportin e DASH, veçanërisht lidhur me trajtimin e pronave dhe pengesat administrative e burokratike të vlerësohen me përparësi nga autoritetet përgjegjëse shtetërore dhe të marrin zgjidhje ligjore pa zvarritje të mëtejshme”.
POSTIMI I PLOTE
E përshëndes raportin realist të DASH mbi liritë e besimit 2019 për Shqipërinë, dhe e çmoj me rëndësi të madhe vlerësimin për harmoninë dhe bashkëjetesën ndërfetare në vendin tonë. Ndaj të njëjtat konkluzione me gjetjet e raportit, ku evidentohen shqetësimet e komuniteteve fetare për moskthimin e pronave të konfiskuara gjatë regjimit komunist, si dhe vështirësitë për marrjen e lejeve nga disa autoritetet lokale për ndërtimin e institucioneve të kultit.
Apeloj që të gjitha shqetësimet e ngritura në raportin e DASH, veçanërisht lidhur me trajtimin e pronave dhe pengesat administrative e burokratike të vlerësohen me përparësi nga autoritetet përgjegjëse shtetërore dhe të marrin zgjidhje ligjore pa zvarritje të mëtejshme. Ky proces, do të ndikonte në forcimin e pavarësisë të komuniteteve fetare dhe do t’i mbante ato larg ndikimive të huaja, që synojnë dëmtimin e harmonisë dhe bashkëjetesës ndërfetare. Duhet një reagim energjik dhe i sinqertë, institucional shtetëror për të zgjidhur përfundimisht çështjen e pronës së komuniteteve fetare duke u dhënë fund praktikave burokratike dhe korruptive.