Arabia Saudite lejoi për herë të parë gratë të shkojnë në një stadium me rastin e ceremonive për festën kombëtare, njoftoi sot agjencia zyrtare saudite e lajmeve SPA. Këtë fundjavë, gratë do të mund të jenë të pranishme së bashku me familjet e tyre në stadiumin ”Mbreti Fahd i Riadit” për të marrë pjesë në një spektakël muzikor dhe poetik me rastin e festës kombëtare të kësaj mbretërie ultrakonservatore.
Familjet, burra, gra dhe fëmijët mund të shikojnë spektaklin së bashku në një seksion të veçantë të stadiumit. Burrat, që do të jenë të pashoqëruar nga gratë, do të ulen në një seksion tjetër. “Stadiumi ka kapacitet të presë rreth 40 000 persona të shpërndarë në një seksion për burrat dhe një seksion për familjet”, theksoi Autoriteti i përgjithshëm i Zbavitjes, në një komunikatë të cituar nga agjencia e lajmeve SPA./balkanweb/