Mbrëmjet në Shëngjin me drita shprese dhe nota muzikore optimizmi, me bekimin e vepres së Atë Zef Pllumit “Rrno për me tregue”. Turizmi bregdetar natyrisht në këtë kohë pandemie nuk është në ritmin e sezoneve të tjera turistike në qytetin e Shëngjinit, një ndër destinacionet kryesore jo vetëm për pushuesit vendas por edhe shqiptarët e Kosovës e Maqedonisë, por edhe për turistë të huaj.
Mbrëmjet e korrikut në Shëngjin janë më të gjallëruara se ato nga marsi deri në qershor, por jo më të gjallëruara se ato të korrikut të kaluar. Dielli flakëron në perendimin bregdetar e ndërsa pushuesit popullojnë shëtitoren “Willson”. Puhiza detare ledhaton këndshem në buzëmbremje miqtë dhe vendasit, duke u larguar sadopak vemendjen nga rutina e ditës apo nga të zhvillimet e Covid-it.
Neonët shkëlqejnë ndryshe nga vitet e kaluara duke shoqëruar në ecje pushuesit, të cilët shtegtojnë përgjatë shetitores duke u përpjekur për respektimin e distancimit social. Në këtë drejtim nga ana e Bashkisë është marrë edhe masa për ndalimin e qarkullimit të automjeteve në rrugen pranë shetitores.
Përgjatë bregdetit çadra në heshtje që do të presin të nesermen me shpresë që pushuesit të jenë më të shumtë dhe më me shpresë. Ndërkohë nuk mungojnë as tabelat informuese për masat parandaluese për Covid 19, që ndryshe nga sezonet e tjera do të jenë bashkëshoqëruese në këtë sezon turistik.
Hyrja e shetitores është gumëzhuese në të vetmin kënd lojrash të pozicionuar në afërsi të portit, ndërkohë që në sezonet e tjera kishin pushtuar të gjithë bregdetin. Tregtarët ambulant janë vendosur gjithashtu vetëm në hyrje të shetitores dhe janë shumë herë më të paktë në numër se çdo vit tjetër.
Bar- restorantet dhe komplekset turistike në qytet nuk kanë edhe aq frekuentues, ndërkohë që në ndonjë prej tyre dëgjohet muzikë nga këngëtarë lezhjanë dhe jo vetëm. Shëngjini është më i pastër se kurrë ndonjeherë. Përgjatë shetitores janë vendosur kontenierë bashkëkohor të izoluar dhe për mbetje në mënyrë të diferencuar investim nga GIZ, ndërkohë që edhe pushuesit janë më të ndërgjegjësuar për mbajtjen paster të ambjentit.
Mbrëmjet janë më të qeta se në çdo sezon turistik të deritanishëm, dhe jemi të vetëdijshëm që shkaku kryesor është situata e krijuar nga pandemia e Covid-19, masat e marra nga shumë shtete për lëvizjen ndërmjet tyre.
Gjatë këtij sezoni Shëngjinit ndoshta do t’i mungojnë turistët e huaj, shqiptarët në emigrim por jo pushuesit e Kosovës apo Shqipërisë. Pushuesit dhe turistët nuk duhet të kenë pànik por duhet të kenë kujdes. Ata do “të mbrohen” nga trinia Shën Gjin, Willson dhe Atë Zef Pllumbi me bekimin “Rrno për me tregue”. /Nga Lindita KOKAJ/