Dega e Partisë Demokratike në Shkodër ka përzgjedhur 100 emra të kandidatëve të mundshëm për deputetë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Në zyrën e Lulzim Bashës shkon edhe emri i Jozefina Topallit, ish numri dy i selisë blu në kohën e Sali Berishës!
Partia Demokratike e Shkodrës ka përmbyllur fazën e parë të propozimeve për emrat që anëtarësia kërkon të jenë kandidatë për deputetë në zgjedhjet e ardhshme.
Nga 38 grupseksionet që ka bashkia Shkodër, lista që ka mbërritur në selinë blu të kryeqytetit përmban mbi 100 emra. Mes tyre është edhe ai i Jozefina Topallit, ish- numrit dy të kësaj partie.
Xhevdet Amuli, kryetar i PD Shkodër: “Është propozuar emri i Jozefina Topallit. Ndoshta shumë qytetarë mund ta kenë quajtur të larguar nga Partia Demorkatike, por nuk është e vërtetë. Nuk ka qenë e larguar asnjëherë, pavarësisht problemeve të saj. Ajo është anëtare e Këshillit Kombëtar, dhe të jesh anëtare, do të thotë që nuk je person i larguar.”.
Emrat e propozuar vijnë nga fusha të ndryshme të jetes politike e publike, ku spikasin edhe prurjet e reja.
Por procesi, megjithatë do të ketë disa faza dhe kritere që filtron emrat e propozuar.
Xhevdet Amuli, kryetar i PD Shkodër: “Në fund do të bëhet votimi në Këshillin Kombëtar, në rang qarku.”.
Ndryshe nga zgjedhjet e shkuara, anëtarësia këtë herë nuk do të njihet në minutën e fundit me kandidatët zyrtar për deputet thotë Amuli, i cili pretendon se kjo forcë do të marrë 7 mandate deputetësh. /OraNews/