Pas solidarizimit të heshtur të aktorëve të Teatrit “Migjeni” me kolegët e tyre në Tiranë për Teatrin Kombëtar, mësova lajmin e keq. Një nga aktoret, mike të kahershme të mijat, ndërsa e pyesja për shëndetin e aktorit Bruno Shllaku, më tha:
-Bruno është më mirë, por kemi hallin e Antonit…
-Cilit Anton, e pyeta i habitur.
-Anton Krosaj, më tha. Një muaj, maksimumi dy muaj jetë, i kanë dhënë doktorët.
Një dialog i shkurtër dhe shumë, po shumë tragjik. Nuk po u besoja veshëve dhe madje e pyeta disa herë bashkëbiseduesen aktore të “Migjeni”. Ajo më dha detaje, duke më treguar se Antoni kishte shkuar në spital pas vështirësive në frymëmarrje, me dyshimin për Covid-19.
Pas ekzaminimeve të detajuara, u diagnostikua me sëmundje të keqe, të pashërueshme. Si mundësi e fundit ishte kemioterapia, e cila fatkeqësisht, siç tregoi edhe dita e sotme, nuk pati rezultat.
Pas kësaj bisede, krejt rastësisht u takuam me Antonin në Pedonalen e Shkodrës. Në fakt, nuk e njoha përnjëherë. Vetëm se më thirri në emër. Ishte transformuar totalisht, me kapele në kokë dhe shumë i dobësuar.
E pyeta për mungesën e gjatë, kishte muaj që nuk shiheshim. “Kam qenë i sëmurë, më tha. Por tani jam më mirë…”. U përshendetëm dhe realisht, pata një ndjesi të keqe, nisur edhe nga biseda që tregova më lart. Megjithatë, natyra njerëzore shpreson gjithmonë, pse jo, në një mrekulli. Një mrekulli që 2 vjet më parë, përfundimisht nuk u përmbush…
Antonin, si shumë shkodranë e shqiptarë, e njoh prej vitesh. Fillimisht, në shfaqjet e organizuara nga Agjensia e Spektakleve “Buna 1”. Një aktor i ri, me mimikë e plastikë unikale. Me batuta që i vinin natyrshëm.
LEXONI EDHE: FOTO – Anton Krosaj përcillet ashtu siç e meritonte, i duartrokitur nga kolegët në Teatrin “Migjeni”…
Pas vitit 2001, TV Rozafa ku unë punoja, na afroi edhe më shumë. E njoha nga afër në një moment jo të lehtë ekonomik për familjen e tij. Pronari i medias ku unë punoja, i ofroi një vend pune, më shumë për ti shtuar pak të ardhura për familjen.
Ato ditë, do të kujtohen gjatë. Sidomos pasditet e praverës e verës. Argëtim pa lekë, në shoqërinë e Anton dhe të ndjerit Aleks Selmani. Së bashku me punonjës të tjerë të TV Rozafës, kalonim orë e orë të tëra me humor e batuta. Jo rradhë iu bashkoheshin edhe kolegë të tjerë, humoristë, artistë, këngëtare, instrumentistë. Një gotë birrë, të cilën mjaft shpesh, e ofronte edhe Antoni, edhe Aleksi, pasi lëshonin batutën e zakonshme “Kemi punu sot, kemi fitu 30 mijë, 50 mijë lekë të vjetra…”. Sigurisht, nga aktivitete apo evente ku ata ftoheshin për të kënaqur publikun me humorin e tyre.
Pikërisht në këtë periudhë, Antoni do të bëhej pjesë e Estradës Profesioniste të Shkodrës. Shumë persona u bëmë fjalëmirë aty ku duhej që ai të bëhej pjesë e trupës. Më pas, me humorin e tij, Antoni do të ngacmonte shpesh ata që “i rrihin gjoksin” se e futën në teatër: Jeni ba shumë, nuk di kujt me i thanë faleminderës ma parë. Po venju në rradhë!
Pasi kaluan të gjitha pengesat, e fundit ishte shkolla e lartë sepse për talentin, nuk diskutohej. E për këtë “mangësi”, nuk ishte e vështirë të bindej ai që duhej të vinte firmën. Ishin dhe janë dhjetra shembuj kur jo vetëm ishin e janë yje të skenës e ekranit pa arsim përkatës apo të lartë, por edhe japin mësim për studentët- aktorë në Akademinë e Arteve asokohe.
Fillimi për Antonin në “Migjeni”, nuk ishte i lehtë. Vërente se nuk e kishte të lehtë të merrte role, të aktivizohej. Por ishte mirëkuptues, përmendte emrat e mëdhenj të artit e humorit me të cilët punonte tashmë dhe nuk dekurajohej.
Kjo situatë nuk zgjati shumë. Nisën rolet edhe për Antonin dhe me kalimin e viteve, galeria e tyre është rritur ndjeshëm. Në variete, komedi e drama të Teatrit “Migjeni”, Antoni spikati në role të mëdha e role të vogla.
Jeta shumë herë është e padrejtë! E padrejtë edhe për ata që falin nga vetja për të na argëtuar, dëfryer, edukuar. Një nga këto shembuj, fatkeqësisht, është edhe Anton Krosaj. Iku 2 vjet më parë në moshën 54 vjeçare, kur kishte dhjetra vite përpara për ti dhënë skenës, ekranit, artit shqiptar. Kjo është një dhimbje e madhe për familjarët, të afërmit, miqtë, kolegët të njohurit… Por dhimbja bëhet edhe më e madhe. A e dini se Antoni prej disa kohësh, për të shtuar të ardhurat e familjes, ikte në SHBA ku punonte punë të ndryshme për pak muaj?! Ndoshta nuk bëj mirë që e them publikisht këtë fakt të trishtueshëm, edhe pse shumë i vertetë. Këtë e dinë shumë mirë kolegët e miqtë e tij.
E këto rreshta sot, në ditën e 2- vjetorit të ndarjes fizike nga Anton Krosaj, do të dëshiroja shumë ti lexonte ai që duhej, ata që kanë mundësi të ndihmojnë sado pak njerëzit më të dashur që ai la pas: Familjen, fëmijët…
Një thirrje zemre për të gjithë, nga Bashkia e qeveria, Këshilli Bashkiak e ministrat, bisnesmenë e të kamur, zemërbujarë. Sepse të gjithë, qoftë edhe njëherë të vetme, Anton Krosaj i ka bërë të qeshin, të buzëqeshin me shpirt.
U prehsh në paqe mik i dashtun! Të kërkoj falje që të zbulova disa të verteta që mbase nuk do kishe dëshirë të tregoheshin! Por po i tregoj sot jo vetëm për ty por për shumë kolegë si ti, në mbarë vendin! Dhe kjo duhet të na bëjë që të mbajmë kokën ulur, të ndjehemi të turpëruar, të gjithë si shoqëri! Pushofsh në paqe Anton Krosaj! /Nga Blerti DELIJA/