Në Shqipëri e në Ballkan numrat e të prekurve me Covid- 19 po rriten.
Ndjej për detyrë qytetare që t’ju ftoj të kujdesemi për veten dhe për të tjerët. Është koha e përkujdesjes e cila duhet të na zhvillojë përmasën e solidaritetit me njëri tjetrin dhe ndaj të mirës së përbashkët.
Nuk vlen ajo shprehja “mors tua vita mea” (vdékjà jote është jeta ime), pasi vdékjà apo sëmundja e një njeriu është edhe vdékjà apo sëmundja e të gjithëve. Jeta është një e mirë që na është dhënë. Kjo pandemi po na tregon se jeta jonë është në dorën e të tjerëve dhe jeta e të tjerëve në dorën tonë.
Mjekët po na thonë të kemi kujdes. Tu besojmë atyre e tua dëgjojmë e zbatojmë këshillën. Mos ta kthejmë Shqipërinë në një spital të madh infektiv, a larg o Zot në një morg.
Prandaj: Distancim fizik, përdorim i maskave në ambjente të mbyllura përgjegjësi ndaj simptomave.
Është një rast i volitshëm për tu rritur në përgjegjshmëri e të tregojmë se sa e duam jetën dhe se sa e vlerësojmë njëri tjetrin.
Jemi një vend i vogël dhe i varfër, me shumë probleme edhe pa pandeminë e tërmetin. Nuk mund të lejojmë që kjo pandemi të na varfërojë e izoloi më shumë. Na kanë mbyllur kufijtë, jemi të detyruar të rrimë në karantinë nëse kalojmë kufirin në ndonjë shtet. Rritja e rasteve po na penalizon.
Prandaj është detyrë e të gjithëve, të mëdhenj e të vegjël, që të heqim dorë nga normaliteti i jetës së deritanishme e të strukturojmë një normalitet të ri që ndoshta do të na kushtëzojë për shumë kohë.
Sa më parë të mësohemi aq më mirë është për ne të gjithë
Ditë të mirë! /Nga Dom Gjergj META/