Shkarkohet gjyqtari i Gjykatës së Apelit Shkodër, Selim Kryeziu. Vendimi është dhënë sot nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Gjyqtari i Gjykatës së Apelit të Shkodrës, Selim Kryeziu u vu përpara dy raporteve negative nga institucionet ndihmëse të procesit të vetingut, ndërsa në seancën e së enjtes së kaluar, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit bëri me dije se kishte konfirmuar disa nga shkeljet e gjetura prej ILDKPKI-së dhe DSIK-së.
Seanca ndaj Kryeziut u kryesua nga Valbona Sanxhaktari, ndërsa relatore ishte Etleda Çiftja dhe anëtare e trupës, Xhensila Pine. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Theo Jacobs.
Selim Kryeziu e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1998 si gjyqtar në Gjykatën e Librazhdit. Në vitin 2006, ai është emëruar inspektor pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ndërsa në vitin 2012 u promovua si gjyqtar në Gjykatën e Apelit të Shkodrës.