Kur po afron data e zgjedhjeve për organe dhe autoritete drejtuese në universitete, 30 korrik, stafet akademike dhe studentët tashmë duhej të ishin njohur me kandidatët e kësaj gare, e cila përtej situatës të pazakontë në të cilën zhvillohet, të paktën do të krijonte mundësinë për të zgjedhur mes kandidaturave që ofrojnë ide dhe programe konkuruese të zhvillimit të institucionit të dijes për 4 vite. Por, çfarë ndodh në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”?
Megjithëse na ndan gati një javë nga dita e zhvillimit te zgjedhjeve, përveç kandidaturave për rektor dhe anëtar senati, akoma nuk dihen zyrtarisht emrat e atyre që do të garojnë në drejtimin e fakulteteve dhe departamenteve për shkakun se aplikimet janë mbyllur vetëm ditën e sotme. Gjthsesi, nuk është ky problemi më i madh, por fakti se me sa konstatoj në mbi 95 përqind të fakulteteve dhe departamenteve të këtij universiteti do të kemi një kandidaturë të vetme ose nuk do të kemi kandidaturë fare.
E gjithë kjo situatë u parapërgatit të shkonte kështu pasi në Statutin e USH-së, përtej barrierave që vendoste ligji i arsimit të lartë për gradat dhe titujt akademik të kandidatëve, u vendos kriteri shtesë i eksperiencës si profesor i brendshëm mbi 10 vite në rastin e dekanit dhe mbi 5 vite në rastin e drejtuesit të departamentit. Duke ditur se stafi akademik me tituj është “me pikatore” në USH, u vendosen edhe vitet e punës për të mos lejuar asnje surprizë në drejtimin e këtij institucioni.
Tani ndodhemi në situaten ideale të parashikuar, kemi kandidatura të vetme, dhe aty ku nuk ka fare kandidatura, sipas parashikimeve statutore, do të komandohen nga rektori i ardhshëm. Pavarësisht gjithçkaje me 30 korrik do të sfidojmë Covid- 19 dhe vapën të shkojmë të zgjedhim aty ku na lejohet, pra në mes dy kandidaturave për rektor, të cilët megjithëse vijnë nga i njëjti fakultet, departament dhe seksion, dallojnë nga gjinia… /Nga Florian BJANKU, publikuar në profilin e tij në Facebook/