Nëse do të ishte mes nesh, mjeshtri i humorit shqiptar Zef Deda, do të kishte një ditë të veçantë sot. Ai që gjërësisht është kurorëzuar edhe si Charlie Chaplin “shqiptar”, do të fikte 74 qirinj mbi tortën e ditëlindjes. Fatkeqësisht, ai sot feston me engjëjt në qiell, por dita e lindjes e këtij mjeshtri të rrallë të skenës e ekranit shqiptar, nuk mund të kalojë pa u kujtuar.
Brezat e sotëm por edhe ata që do të vijnë, do ta kujtojnë si “Altufi”, fëmija çapkën me të madhin Gjosho Vasija apo edhe si “Loni” që kërkon nuse tek “Kunati i Shokut Xhemal” dhe qindra role të tjera. Për vetë përmasat që ka patur, kontributin për shumë e shumë vite në art, ka ardhur koha që Zefi të ketë një monument në Shkodër, ndoshta edhe në rolin Chaplin.
Kjo ikonë e humorit shqiptar, u nda nga jeta me 24 nëntor 2023 pas një sëmundje të rëndë, duke lënë një boshllëk të madh jo vetëm për familjen e të afërmit por edhe artin në përgjithësi. Festofsh me engjëjt Zefi, gëzuar ditëlindjen në parajsë! /ShkodraWeb/