Të paktën tre deputetë, njëri prej të cilëve votues edhe në seancën e djeshme, kanë rezultuar zyrtarisht pozitivë me Covid-19. Dy, Enver Roshi dhe Ralf Gjoni janë të “opozitës së re”, ndërsa Eljo Hysko i PS-së.
Sot, Kuvendi njoftoi masat e marra për parandalimin e përhapjes së pandemisë edhe tek deputetët e tjerë dhe stafi i parlamentit. Fillimisht, do të bëhet dezinfektim dhe më pas, do të merret vendim për shkurtimin edhe më tej të diskutimeve në Kuvend. Pak a shumë, nga 60- 120 sekonda që ka aktualisht kohë fjalimi një deputet i “opozitës së re”, të shkojë në 30- 60 sekonda. Pak a shumë, 3- 10 fjali, në varësi të aftësisë e shpejtësisë së artikulimit.
Por nëse ky fakt, mund të quhet i parëndësishëm, edhe pse “fjala” duhet të jetë themeli i “tempullit të demokracisë”, është e çuditshme që nuk merren masa më efikase.
Sipas të gjitha protokolleve shqiptare, që normalisht janë thjesht të përkthyera nga gjuhë të huaja, menjëherë, të gjithë deputetëve duhet t’u bëhet testi- tampon. Deri në marrjen e përgjigjeve negative, as nuk duhet t’i shkojë kujt në mendje të zhvillojë seancë plenare. Pas 48 orëve, duhet bërë edhe një test tjetër, për tu siguruar në masë të gjërë se nuk ka deputetë të infektuar. Vetëm atëherë, ata që rezultojnë negativë, sërish me masa mbrojtëse si maskat, dorezat e distancat jo më pak se 1,5 m, duhet të vijojnë aktivitetin parlamentar.
Të gjithë kemi parë, se përveç sallës së seancave plenare ku të gjithë kemi parë se “baballarët e kombit” nuk i respektojnë si dhe sa duhet pasat antiCovid, në mjediset e tjera si bari i Kuvendit apo atpo rrotull, as nuk i shkon kujt në mendje ti respektojë. Teorikisht, pas rasteve tashmë zyrtare, të gjithë deputetët janë subjekte të dyshuara si bartës të Covid-19, deri sa testet të vërtetojnë të kundërtën.
Pse nuk ndiqet ky protokoll, për tu siguruar 100% për shëndetin e “baballarëve të kombit”? A nuk iu dhimbset shëndeti por edhe jeta, sidomos disa deputetëve që bëjnë pjesë në kategori moshe mjaft të lartë dhe që mund të rrezikojnë edhe jetën nëse infektohen?
Përgjigja është një dhe e vetme: Kuvendi nuk duhet të ndërpresë punimet për asnjë arsye në botë, sepse përpara është seanca e 30 korrikut! Në këtë seancë, të fundit për sesionin aktual, duhet të miratohen ndryshimet e njëanshme kushtetuese të kërkuara nga kryeministri Rama e të mbështetura nga “opozita e re”. Kështu, nuk ka kohë të bëhen testet dhe të pritet së paku 48 orë (për dy teste të njpasnjëshme) sepse gdhin e premtja e 31 korrikut. Po ashtu, nga testet mund të rezultojnë disa deputetë të prekur nga Covid- 19 dhe rrezikohet kuorumi i nevojshëm për të miratuar me shumicë të cilësuar votash ndryshimet kushtetuese.
Edi Rama dhe “aleatët e përkohshëm” të “opozitës së re”, kur nuk ndalen para një rreziku global siç është Covid-19, nuk frenohen përpara asgjëje tjetër. Ky është “mësimi” i parë që vjen nga ky rast i paprecedent. Sidomos për Opozitën e Bashkuar dhe Ndërkombëtarët këtu dhe atje. Nga ana tjetër, nga sot, Kuvendi e antarët e tij, po krijojnë një precedent të rrezikshëm: Çdokujt i lind e drejta, të jetë i papërgjegjshëm, të paktën në nivelin e “baballarëve të kombit”!
Kështu, të gjitha videot, posterat e shënimet në Facebook të ministres së Shendetësisë Ogerta Manastirliu, shumëzohen automatikisht me zero dhe bëhen “video propagande”, asgjë më shumë. Nga ana tjetër, këngëtarë, instrumentistë, Dj, kameramanë, fotografë, kuzhinierë, kamarierë, banakierë, sanitare fitojnë automatikisht të drejtën të rifillojnë punën që u pengohet nga protokollet antiCovid sot. Lokalet, restorantet, klubet e natës, duhet të hapen katër kapakësh për dasma, fejesa, ditëlindje, party etj. Sepse jeta e asnjërit prej tyre, nuk mund të jetë se jeta e “baballarëve të kombit” në Kuvend, që për “interesa të atdheut, popullit, partisë/ve”, marrin në sy rrezikun duke sfiduar edhe Covid-19. Hallal votat që u paskemi dhënë në 2017- ën! Për këto trima “baballarë kombi” kemi nevojë. Sot edhe në të ardhmen! /Nga Blerti DELIJA/