Në zgjedhjet parlamentare të 30 gushtit, partitë shqiptare në Mal të Zi do të garojnë së bashku. Pesë parti politike atje kanë firmosur sot një marrëveshje, e cila pritet të maksimalizojë numrin e votave dhe për pasojë më shumë deputetë në Parlamentin malazez.
Lajmin e nënshkrimit të marrëveshjes, e bën me dije Nazif Cungu, kreu i Partisë Forca e Re Demokratike. Ndërkohë, me 30 gusht do të konkurrojë edhe një listë tjetër me parti shqiptare, e kryesuar nga Partia Demokratike në Malin e Zi.
Postimi në Facebook i Cungut:
Sapo nënshkruam marrëveshjen e koalicionit gjithpërfshirës për zgjedhjet parlamentare të 30 gushtit, mes Forcës së Re Demokratike, Alternativës Shqiptare, Lidhjes Demokratike Shqiptare, Unionit të Tuzit si dhe Lëvizjes Qytetare Perspektiva.
Ky bashkim i partive kryesore shqiptare të Malit të Zi, bëhet në interes të popullit tonë duke synuar maksimalizimin e votës shqiptare.
Shpreh mirënjohjen ndaj diasporës dhe aktorëve të tjerë politikë, që kanë këmbëngulur për të krijuar një listë të përbashkët elektorale që do të mundësoj një përfaqësim më të denjë e të plotë të popullit shqiptar në parlamentin e Malit të Zi.