“Surpriza” e prezantimit të stafit të ri teknik të Vllaznisë sot padyshim që ka qenë emri i Elvis Plorit. I prezantuar si trajner i parë në një staf me kryetrajner Thomas Brdariç, padyshim që ish- tekniku i Besëlidhjes duket se do të ketë një dorë të fortë në punën tek kjo skuadër.
Megjithatë vetë ai në prononcimin e tij për mediat ka thënë se nuk e ka aspak për turp të jetë ndihmës i Brdariç nga i cili ka se çfarë të mësojë. Por nga ana tjetër, Plori nuk e ka fshehur lumturinë që pas 10 vitesh rrugëtim, rikthehet të punojë tek skuadra e tij e zemrës. Ja si i është përgjigjur pyetjeve të bëra sot gjatë prezantimit ai:
Plori sot prezantoheni si pjestar i stafit teknik të Vllaznisë. Çfarë do të thotë kjo për ju?
Një prezantim ndryshe ky që po më bëhet sot dhe sigurisht që kam shumë emocione sepse kthehem në shtëpinë time. Dua ta nis me falenderime këtë prezantim sepse pas 10 vitesh rrugëtim, kthehem në Shkodër. është ndryshe Shkodra. Falenderimet dua t’i filloj nga kryetarja e Bashkisë Ademi, nga administratori Suad Lici që pranuan kërkesën e donatorit Xhaferi që të bahem pjesë e Vllaznisë.
Kjo është më kryesorja për mua, pastaj pjesa tjetër e falenderimeve është për gjithë Shkodrën sepse e kam vërejtur gjatë këtyre ditëve se e kanë pritur mirë rikthimin tim, për stafin me të cilin do të punoj sepse nëse do të më kishin thënë të zgjidhja vetë stafin kudo që të isha, nuk do ta gjeja më të mirë se ky, nuk do të merrja asnjë tjetër me përjashtim të këtyre që janë këtu.
Sa i takon trajnerit Brdariç, ai është një risi për Shkodrën. Ka një edukatë sportive shumë të madhe. Ne jemi shumë larg Perëndimit dhe prandaj duhet ta mbështesim fort. Unë jam fjalën dhe premtimin se jo vetëm trajnerin, por edhe Matkon që e kam shumë shok dhe mik do t’i mbështes maksimalisht në mënyrë që skuadra të jetë aty ku duhet.
E kemi menduar shumë mirë këtë punë që kemi nisur dhe unë kam shumë besim se do të ecim përpara. Mendoj se edhe Shkodra do të mbështesë shumë sepse më në fund, ka nisur një erë e re. Duke filluar nga Suadi, Safeti, Ideali, Matkoja po ashtu, kanë një lidhje shumë të mirë me futbollin dhe duke marrë edhe eksperiencën e mirë të trajnerit, për të cilin them se është një sukses jo vetëm për Shkodrën por edhe për Shqipërinë që të vijë këtu për të punuar dhe fakti që kemi të bëjmë me një ish- lojtar të kombëtares, e po ashtu me një përvojë si trajner e drejtues, besoj se ka se çfarë të na tregojë.
Jam i bindur se do të ecim përpara. Natyrisht që Shkodra pret shumë prej nesh sepse ky është një ndryshim rrënjësor në klub, ka avantazhe shumë të mëdha dhe duke i patur këto, Vllaznia me këtë organizim të ri, mund t’ia dalë.
Cili është pozicioni juaj saktësisht sepse nga ky prezantim nuk u kuptua qartë?
Unë jam ndihmës i trajnerit Brdariç dhe është kënaqësi e ogur i mirë për mua dhe nuk e kam për ulje fare por është një motivacion më tepër sepse e di shumë mirë se kam çfarë të marr prej tij.
Nuk ju duket paksa e palogjikshme të lini drejtimin e një skuadre si trajner i parë dhe të vini tek Vllaznia si ndihmës?
Ndoshta ju është dukur shaka ajo shprehja kur kam thënë se për Vllazninë jam i gatshëm të bëj çdo punë. Kjo është një skuadër që unë e dua me zemër dhe jo më kot e nisa me falenderime sepse kam 10 vite rrugëtim, kam punuar shumë për t’ia arritur kësaj dite. Të kthehem në qytetin tim dhe të punoj për Vllazninë, do ta bëj me shumë dëshirë dhe me shumë pasion. Në qoftë se deri tani kam dhënë 100 për qindshin tim, e kam bërë këtë për t’ia arritur kësaj dite, për të ardhur për të punuar për qytetin tim, për skuadrën time të zemrës. /ShkodraSport/