Të shkuara Erion…
Fitorja e betejës ndaj COVID-19 është një urim që shkon për çdokënd, njësoj edhe për Erion Veliajn. Asnjë ironi në këtë që po shkruaj, por me gjithë zemër. Tani dy fjale për reflektimin tënd!
Ti Erion mesa duket e ke kuptuar se kur përballesh me të keqen, e mira është ngushëllimi dhe me të drejtë thua: “Le të duhemi më shumë, e urrehemi më pak”. Ajo që na ndan ne të dy është mënyra sesi ti qeveris dhe unë kritikoj. Unë të kritikoj se kur ti jep 3 leje ndërtimi pa kriter në një hapësirë 1 ha tokë me të cilën po e shkatërron Tiranën, dhe kjo ma bën të vështirë mos të të urrej.
Kur i shtoj kësaj dhe faktin që ti e bën këtë vetëm për të larë paratë e drógès nga e cila merr pjesën tënde dhe me ato para do të marrësh pushtetin nesër, urrejta kalon në neveri. Por përtej parave mënyra sesi po e vrét Tiranën ti është më vrastare sesa efektet e COVID-it, kështu që ti në rezultante je më i keq se një virus.
Vetëm ne zonën e Shkollës së Kuqe, me firmën tënde të fëlliqur ke dhënë 3 leje ndërtimi për pallate 9 katëshe duke shkatërruar vilat karakteristike të kohës. Duke e shtuar dendësine e popullsisë në një zonë që pa monstrat e betonit me fytyrën tënde, është përtej kapacitetit normal që duhet të ketë një qytet.
Çdo ditë unë zgjohem nga vikatja e betonierave dhe varings- ave që gërmojnë tokë e injektojnë beton larg delikatesës se “injeksioneve pupël të infermiere Adelinës”, më beso për këtë. Ti thua “të ndihmojmë më shumë, e të shajmë më pak”. Po si mund të të ndihmoj unë ty, kur ti e ke shkatërruar trafikun në Tiranë dhe duke e bërë ajrin e kryeqytetit më helmues sesa spërklat e COVID-it që të infektuan edhe ty? Si mundem unë mos të të shaj, kur ti vetëm mbyll rrugë, hap gropa pallati, shton ndotjen, ul gjelbërimin dhe vetë fshihesh në shtëpi përrallore tek Kodra e Diellit. Shto këtu që edhe duke luftuar me virusin, hallin e kishe të hakmerreshe ndaj Ora News që të ndjek këmba- këmbës. Se ti nuk kë asnjë ndryshim nga insistimi ditor i shokut Gramoz.
P.S…. Të shkuara Erion, por unë nuk e kam frikë COVID-in, ti po që më kall krupën më shume se një virus… /Nga Bledian KOKA/