Pak pasi është njoftuar se Gjovalin Loka, zëvendësdrejtor i përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka kaluar me sukses vetting-un, ka ardhur reagimi i Kastriot Dervishit, studiues e hulumtues i arkivave dhe i historisë së diktaturës shqiptare. Me një publikim të shoqëruruar edhe me një foto të ish- drejtorit të Policisë Shkodër Loka, Dervishi e quan me ironi atë “sigurims i mirë”; ndërsa sjell në vëmendje ligji nuk lejon këta persona të jenë pjesë e uniformave blu në ditët e sotme.
PUBLIKIMI I KASTRIOT DERVISHIT
“Ka qenë sigurims i mirë”
Komisioni Qendror i Vlerësimit para pak orësh mori vendimin pozitiv për zëvendësdrejtorin e përgjithshëm të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit në MB, Gjovalin Loka, pavarësisht se i përmenduri rezulton me shkollë Sigurimi dhe i titulluar oficer Sigurimi (punëtor operativ), të dhëna këto që diheshin sepse janë në dosjen personale të oficerit të institucionit. Komisioni nuk ka asnjë tagër të diskutojë e marrë vendime nëse ka qenë sigurims i mirë apo i keq, sepse ligji nuk ia lejon.
Sipas nenit 38/g të ligjit nr.12/2018, datë 5.3.2018 “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme”, bashkëpunëtorët dhe oficerët e Sigurimit të Shtetit ndalohen të shërbejnë në radhët e Policisë.
Ka qenë i mirë apo i keq, kjo nuk është në tagrin e komisionit, pasi ligji nuk e ka një hapësirë të tillë. Arsimimi është çështje shumë e rëndësishme. Profili i oficerit të Sigurimit, si punëtor politik komunist partie dhe profili i oficerit të Policisë, janë krejt të ndryshëm me njëri-tjetrin. /ShkodraWeb Media/