Shoqnia “Rozafat”, e pagëzuar me emrin e kështjellës së Shkodrës, qe një ndër shoqëritë më me emër të këtij qyteti në vitet ’20 dhe ’30 të shekullit XX. Shoqnia “Rozafat” e pati bazën e vet dhe elementët e saj formues tek Shoqëria Ndihmëtare Punëtore që u krijua në Shkodër që më 1905. Kjo shoqëri kishte për qëllim jo vetëm mbrojtjen dhe ndihmën e punëtorëve, por edhe edukimin e tyre kulturor dhe artistik.
Nismëtarë për formimin e shoqnisë “Rozafat” ishin këpucarët Simon Gurakuqi (Rranxi) e Shuk Paloka; marangozët Cin Nush Daija; rrobaqepësi Gjon Laca; mekaniku Luigj Dajçi; berberi Ton Dajçi; mësuesi Kolë Kosmaçi dhe nëpunësit Kel Luka e Gegë Gurakuqi. Përkrahje materiale dhe morale shoqnia “Rozafat” pat edhe nga mjaft atdhetarë e dashamirë të kulturës dhe artit si: Luigj Gurakuqi, Kel Marubi, Ndrekë Kaçulini, Nush Topalli, Shuk Gurakuqi, Tef Pogu, Dedë Shan Deda etj, që mbetën deri në fund anëtarë nderi të shoqërisë.
Mbledhja e 36 anëtarëve të parë të shoqërisë në shtëpinë e Simon Gurakuqit (Rranxi) më 13 shkurt 1918, mbahet si dita e themelimit të shoqërisë. Numri i anëtarëve të shoqnia “Rozafat”, nga 100 që ishte në vitet e para, arriti në 220 në vitin 1938.
Në kanunin e vitit 1919, paragrafi 3, thuhet: “Qëllimi i shoqnis asht me permirsue shijen estetike të popullit shqyptar per muzikë neper msim kndimi e veglash muzikore”. Por, më kalimin e kohës (shih Rregulloren e vitit 1921, paragrafi 2, dhe Statutin e vitit 1937, neni 2), veprimtari për t’u shënuar zhvilluan gjithashtu dega teatrore dhe ajo letrare.
Lidhur me formimin e shoqnisë “Rozafat”, fletorja “Posta e Shqipnis”, në artikullin “Nji vepër qytetnije”, datë 23 shkurt 1918, shkruan: “Tuj kuptue pra fuqin e madhe të muzikës, disa djelmoça shkodranë, të shtymë e të nxitun prej ndesijet kombëtare, sikurse gjithmonë nder vepra kombësije, edhe në këtë u danë në shej. Çuene e thirrnë nji farë Aleks Ivanoviçit, i cili ka krye mesimet e veta në Konservatorin e Pragës, e ky zotni i ndershem nisi të apë mësim në shumë vegla muzikore në shtëpi të Simon Gurakuqit (Rranxi) ku natë për natë mblidhen do djem shkodranë pa ndërlikim bësimi: muhamedanë, katolikë e ortodoksë per me xanë vegla muzikore… Këta djelmoça e mbajnë dhe e paguejnë vetë mësuesin…”
Shoqnia “Rozafat” kishte flamurin e vet me fushë ngjyrë të kaltërt. Në njërën anë, në mes, stema e shoqërisë (pamja e këshjellës “Rozafat”) me emrin e shoqërisë përreth; kurse, në anën tjetër, simbolet e muzikës. Në ushtrimin e veprimtarisë së saj, shoqëria ka qenë gjithnjë e vendosur ndaj çdo ndërhyrjeje nga jashtë. Në të tre dokumentet bazë të shoqërisë “Rozafat” (Kanuni i vitit 1919, Rregullorja e vitit 1921 dhe Statuti i vitit 1937) thuhet shprehimisht: “Shoqnija ka karakter thjeshtësisht kulture”. Kuptimplotë është fakti i refuzimit në vitin 1935 i propozimit të Ministrisë së atëhershme të Arsimit për të aderuar në “Bashkimin shoqnuer shkodran” apo në “Shoqninë jashtëshkollore”, si u qujt më vonë.
Anëtarët e shoqnisë “Rozafat” ndaheshin në anëtarë themeluesa; anëtarë besnikë (me veprimtari pesëvjeçare në dobi të shoqërisë); anëtarë nderi; anëtarë vepruesa dhe ndihmëtarë (ata që nuk marrin pjesë aktive në shoqëri, por paguajnë kuotën mujore).
Parija e shoqërisë zgjidhesh prej mbledhjes së përgjithshme të anëtarëve dhe qëndronte në fuqi për një vit. Secila nga të tri degët në të cilat vepronin anëtarët e shoqërisë, sipas aftësive dhe zgjedhjes personale, kishte drejtuesin e vet.
Parija që doli nga mbledhja e parë e përgjithshme e anëtarëve të shoqnisë “Rozafat” përbëhesh nga: kryetar Kel Luka; nënkryetar Simon Gurakuqi (Rranxi); këshilltarë Cin Daija, Luigj Dajçi e Gjon Laca; ekonomat Shuk Paloka.
Duke rradhitur më poshtë disa nga veprimtaritë kryesore muzikore e teatrore të organizuara nga shoqnia “Rozafat” gjatë 20 viteve të ekzistencëssë saj, shënojmë se në mjaft raste këto veprimtari gërshëtoheshin njëra me tjetrën. Megjithatë, për qartësi e saktësi, do t’i trajtojmë veç.
Shoqnia “Rozafat” – Dega muzikore
Veprimtaria e degës muzikore e shoqnisë “Rozafat” ka qënë e vazhdueshme dhe e një cilësie gjithnjë në rritje. Koncerti i parë i përgatitur i shoqërisë është dhënë më 28 nëntor 1918 në lulishten Popullore me rastin e përvjetorit të gjashtë të festës sonë kombëtare. Në koncert, ku vendin kryesor e zinin këngët patriotike dhe popullore, për herë të parë del para publikut një vajzë shkodrane, Lajde Gurakuqi, që nën tingujt e mandolinatës; reciton plot zjarr një poezi atdhetare.
Para se të vazhdojmë me kronikën e disa manifestimeve më të realizuara muzikore, kujtojmë se bazën e tyre e përbënte orkestra e shoqërisë. Në fillim ajo kishte karakter mandolinate (braç, mandolinë, mandolë, bugari). Pas afro dhjetë vitesh, orkestra numëronte 24 instrumentistë dhe në përbërjen e tyre kishte edhe 6 violina, 2 viola, kontrabas, flaut, klarin, saksofon, trombë, xhezband e pianofortë (Flautin e klarinin ia dhuruan shoqërisë shqiptarët me banim në Bukuresht). Në përgatitjen dhe drejtimin e koncerteve dhanë ndihmesën e tyre, pas largimit të Aleks Ivanoviçit, muzikantët e njohur të qytetit tonë, Frano Ndoja, At Martin Gjoka, Zef Kurti, Luigj Prela dhe specialisti italian Antonio Mucci.
Koncertin e dytë të suksesshëm, shoqnia “Rozafat” e dha në sallonin e shkollës Platore të Parrucës, më 27 prill 1919. Programi i koncertit përmbante këto numëra muzikore:
Galopp, për orkestër të plotë
Detarët në të përshndetun, për mandolina
Kuartet për violina e Richard Tourbie
Sonatë për piano në F- dur e W.A. Mozart
Kujtim, valle katër zërash i A. Mendelssohn
Mbretnesha e Keomit e D. Hruza
Tercet violinash dhe harmonium nga opera “Lohengrin” e R. Wagner
Shqiptarët e muzika, valle korale e At Martin Gjoka
Marsh për orkestër të plotë
Lidhur me këtë koncert, në një kronikë të kohës lexojmë: “… programi kje zhvillue prej të gjithë pjestarve të orkestres me shumë mjeshtëri. Shoqnija muzikore pat pse me dalë para popullit, pse tue kqyrë kohen e pakët që paten për gatim të koncertit, asnji nuk kishte pritë qi shoqnia “Rozafat”, do të mund paraqitte copat e një Wagneri e të një Mozarti.
Ky përparim i shpejtë i don diejtë per nder kryeparis qi ka kjo shoqni pse mundohet me shpirt me i dhanë shkase perherë ma të forta zhvillimit të muzikës nder djelm shkodranë, e i don diejtë edhe At Martin Gjokës, i cili ja ka vu barrë vedit msimin e muzikës e qi drejtoi at ditë edhe koncertin… Në koncert mueren pjesë edhe disa msuesa e fmi shkolle”. (Revista “Zani i Shna Nout”, qershor 1919).
Duke u nisë nga pritja shumë e mirë që iu bë koncerteve të mësipëme, kryesija e shoqnisë vendosi që për çdo vit të jepeshin 5 koncerte në këto raste: natën e Vitit të Ri, me 28 Nëntor; ditën e Karnavaleve, në përvjetorin e themelimit të shoqërisë me 13 shkurt dhe në përvjetorin e ngritjes së flamurit kombëtar në kështjellën Rozafat në vitin 1914. Kështu, duke ndjekur disa nga veprimtaritë që lanë më shumë mbresa, kujtojmë koncertin e dhënë në kafen “Park” me 31 maj 1932, në drejtimin e mjeshtrit Antonio Mucci, mësuesit të muzikës në gjimnazin e shtetit. U dallua në këtë koncert kori i pleqve, i plotësuar në këtë rast edhe me disa të rinj e të reja shkollarë.
Repertori koral mbante kryesisht këngë popullore. Shumë mirë u prit edhe premiera e vodevilit në dy akte “Pata”, shfaqë në kinema “Gloria” më 19 mars 1933, në variantin e përkthyer nga Cuk Simoni dhe vënë në skenë nga Henrik Lacaj. Formacioni orkestral nën drejtimin e mjeshtrit Luigj Prela, ekzekutoi me nivel artistik numërat e ndryshëm muzikorë në përbërje të vodevilit. Me kërkesën e publikut, vodevili u dha disa herë rradhazi.
Më 10 dhe 20 gusht 1934, orkestra e shoqërisë, nën drejtimin e Luigj Prelës, dha në kinoteatrin “Rozafat” dy koncerte që tërhoqën vemendjen e dëgjuesve për nivelin e kënaqshëm të interpretimit. Me të ardhurat e vjelura nga shitja e biletave, shoqëria arriti të blej një pianofortë.
Vend të veçantë në veprimtaritë e shoqnisë “Rozafat”, zinte edhe organizimi i mbrëmjeve argëtuese për anëtarët dhe pjestarët e familjeve të tyre. Ja dy kronika të nxjerra nga shtypi i kohës. Në kronikën e parë lexojmë: “Shoqnija e mirënjohun “Rozafat”, më 11 maj 1936, në mbrëmje; bani nji mbledhje dëfrimi për pjestarët e vet e në të cilën u dha edhe nji koncert prej orkestrës së shoqnisë… U kduen disa kangë prej zojushave Albina e Luigj Dajçit e Antonjeta e Gjon Shllakut. Zonjusha Albina deklaroi edhe nji fjalim të rastit dhe të dyja kjen duertrokitë… “. (E përkohshmja kulturale popullore “Cirka”, Viti I, Nr.5, f.78).
Kurse nga kronika e dytë mësojmë se: “Me 8 tetuer 1936 ishte caktue mbledhja e gjithë pjestarëve për nji koncert defrimi…, ndoqën shumë copa të bukura muzike, ndër të cilat disa të hartueme prej nji kompozitorit bashkatdhetar qi deri tash asht i panjoftun, megjithëse punon shumë në lamën hartuese muzikore. Ky asht z. Pjetër Dungu, me shërbim në bandën ushtarake të Tiranës; i cili në atë mbramje u da në shej sidomos me tangon e kompozueme prej tij “Deri kur do t’rri tuj pritë” mbi fjalët e Prof. Dr. Henrrik Lacës”. (E përkohshmja kulturore popullore “Cirka”, Viti I, Nr. 10, f.158).
Para se të kalojmë në dy koncertet e periudhës së fundit të veprimtarisë koncertale të shoqnisë “Rozafat”, më poshtë po shënojmë programin tipik të një shfaqjeje të kombinuar, dhënë më 28 Nëntor 1936:
“Kombi e Flamuri”, bocet dramatik një akti.
Farsa “Shikuesi me rrema”
Copa orkestrale të zgjedhura
Gjashtë kangë korale tre zanesh
Recitim “Bija Shqipëtare”
Më 15 gusht 1937 shoqëria dha në kinoteatrin “Rozafat” një koncert të pasur. Të ardhurat e realizuara nga shitja e biletave iu dhanë komisionit të ngritur në qytetin e Shkodrës për ndërtimin e monumentit të “Dëshmorëve të Lirisë”.
Koncerti i fundit që njohim, por njëkohësisht edhe ndër më të realizuarit nga ana muzikore, qe koncerti jubilar i 25-vjetorit të shpalljes së Pavarsisë dhënë në prag të festës së 28 Nëntorit 1937. Programi, i ndarë në dy pjesë, përmbante këto numra muzikorë:
“Fliegermarch” – Willy Kuhn;
“Herzev und Blumen” (walzer) – A. Tellier – Czibulka;
“Bebè” – S. Ferruzzi;
“Cosa rara” (valzer nga opera “Una cosa rara”) – V. Martini;
“Sarà ma non ci credo” – Ristori- Roger;
“Quand l’amur meurt” (valse lento) – Octave Cremiex;
“Suite Orientale” – Francis Popy;
“Serenata al vento” – V. Mascheroni;
“Tombuctu” – V. Tamburini;
“Destyny” (Walse-Boston) – Sydney Baynes;
“Tango dell’addio” – F.Lunetta;
“Campane a sera” – V. Billi;
“Stornello appassionato” – G. Zuccoli;
“Si j’etais roj” (Ouverture) – V. Adam.
Në këtë koncert luajtën këto instrumentistë: Zef Alimhilli, Ugo Arditi, Ndoc Shllaku, Ciril Pistoli, Rrok Plani, Dario Arditi, Angjelin Zojzi, Vasil Pistoli, Zef Sheldija, Gjon Sheldija (violina), Paulin K. Pali (flaut), Loro Kovaçi (klarinetë), Luigj Doda (saksofon), Tonin Mala (trombë), Ton Alimhilli (zhezband) e Shuk Shllaku (pianoforte).
Koncerti u dha edhe në kinema “Magjistik” – Tiranë, 27 nëntor 1937.
Me interesë ka qenë bashkëpunimi i orkestrës së shoqnisë në koncertet e dhëna gjatë viteve 1936-37 në qytetin e Shkodrës nga këngëtarët e mirënjohur të vendit tonë Tefta Tashko, Marie Paluca, Kristaq Antoniu dhe pianistët Lola Gjoka dhe Tonin Guraziu. Kështu, në programin e koncertit të dhënë në kinoteatrin “Rozafat” në pranverën e vitit 1938 nga këngëtarja Tefta Tashko dhe pianistja Lola Gjoka me pjesmarrjen e orkestres së shoqërisë me rastin e vizitës që bëri në Shkodër poeti Aleksander Drenova (Asdreni), krahas arjeve operistike, këngëve popullore, solove në pianoforte, figuronin edhe numra të ndryshëm orkestralë, luajtur nga orkestra e shoqërisë.
Shoqnia “Rozafat” – Dega teatrore
Nga shfaqjet me dinjitet të degës teatrore, shënojmë komeditë “Bylbyli në Shkodër” (1923) dhe “Dy gungaçat” e Ndoc Vasisë; farsat “Sarrafi” (1931) dhe “Nata e Karnavalit” (1933) e Gjush Sheldisë; dramat “Besa” (1933) e S. Frashërit, “Mojs Golemi” (1933), e Kol Mirditës (Helenau), “Atdheu nuk mohohet” (1934) e Gjush Sheldisë, “Kthimi i Skenderbegut për liri të Shqipërisë”, (1937) e Henrik Lacaj, interpretuar nga aktorët Loro Kovaçi, Pjetër Gjoka, Gjon Karma, Ndoc Gjonej, Ndoc Gora, Zef Mirashi etj.; ndonjë farsë një akti si “Njeriu me hënë”, “Metamorfoza shkodrane” (interpretuar nga aktori komik Lin Gjonej), “Sorrat”, “Tre cubat”, e cituar më sipër etj., që sipas zakonit të at’hershëm, gërshëtoheshin me numrat e vokalë apo orkestralë të koncerteve të ndryshëm.
Duke i mbyllur këto shënime për veprimtarinë e gjallë 20-vjeçare të shoqnisë “Rozafat” në fushën e muzikës dhe të teatrit, dy fjalë për organizimin e përvitshëm nga ana e shoqërisë të festës popullore të karnavaleve. Mjetet dekorative të punuara me shije e fantazi si anije, glob, shtëpi etj., të vendosura në automjet; larmia e veshjeve dhe maskave, këngët dhe tingujt e instrumentëve muzikorë, letrat fluturuese etj., i japin këtyre festave një bukuri të veçantë.
Nga mengjezi deri në darkë, me ndalesa të vogla nëpër shtëpitë e anëtarëve, karvani i karnavalit kalonte nëpër rrugët kryesore të qytetit, duke dhënë koncerte të improvizuara apo duke recituar bejtet e vitit, përmes të cilave fshikulloheshin zakonet dhe shfaqjet negative të shoqërisë shkodrane duke mos kursyer edhe nëpunësit e sferave të larta qeveritare, përfshirë edhe vetë anëtarët e qeverisë. Mjeshtër të këtij organizimi e realizimi kanë qenë anëtarët e pasionuar të shoqërisë Kolë Shiroka, Ndoc e Kolë Tivari, Shuk Paloka etj. Me poezitë e tij më të mira humoristike Kolë Shiroka botoi në vitin 1932 vëllimin “Lamtumirë djalëri”.
Ashtu si të gjitha shoqëritë e pavarura kulturore-artistike të qytetit të Shkodrës, edhe Shoqnia “Rozafat” e ndërpreu veprimtarinë e saj me urdhër të autoriteteve pushtuese fashiste në tetor të vitit 1939. /Nga Tonin ZADEJA/