Duke folur për operacionet policore të ditët e fundit që synojnë të godasin grupet kriminale në vend, gazetari Artan Hoxha bëri një deklaratë të fortë në studion e emisionit “Kjo Javë” në News 24. Ai tha se situata është aq e rëndë sa shefa komisariatesh apo drejtorë policie marrin rroga mujore nga krerët e këtyre grupeve.
“Grupet kriminale janë fuqizuar aq shumë sa paguajnë rroga mujore për shefa komisariatesh ose për drejtorë policie. Në këto moment vetëm një njoftim ju japin, nesër ka operacion dhe ata nuk dalin. Ka shkuar policia ka bërë një super operacion, po kë kanë kapur? Duket si gjëja më normale por një shef komisariati sapo merr detyrën menjëherë bëhet tentativa për tu futur tek borderoja e grupit kriminal që ka krijuar biznese të ligjshme”,- tha gazetari.
E në këto kushte, ai tha se do ishte shumë mirë që të nise sa më parë vettingu në polici. Duke këshilluar ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj, Hoxha tha se vettingu në radhët e policisë duhet të nisë nga lart.
“Nuk e ka të lehtë betejën Fatmir Xhafaj, ka përballë grupe që e kanë sfiduar shtetin, janë të paprekshëm, janë ata që i japin rroga drejtuesve të policisë. Ai e ka premtuar, do t’i duhet vullnet i jashtëzakonshëm politik. Nëse do besojë tek kjo kupolë drejtuese që ka është punë për të, por nëse do vërtet të bëjë atë që ka thënë të godasë bosët e krimit, do të duhet të drejtojë një ekip që të mos ketë mbi vete përgjegjësitë e situatave që kanë ndodhur në dy dekadat e fundit në territorin e Shqipërisë. Me këtë nivel drejtuesish të korruptuar dhe nën presionin e bandave s’mundet . Nuk po them se do godasë të gjitha grupet, por dy, tre duhen goditur. S’ka asnjë bos droge sot në burg. Në momentin që në Tiranë është arrestuar Shullazi çdo gjë ka pushuar dhe policia merret vetëm me krime ordinere. Më falni por në Tiranë nuk është vetëm Shullazi dhe grupi i tij”,- shtoi ai. /BalkanWeb/.