Fillimi i Kategorisë Superiore do të shtyhet, për një bojkot që në teori po e organizojnë klubet e Ligës, por në praktikë po organizohet nga FSHF për të mbuluar keqmenaxhimin e zakonshëm. Shkak nuk është kërkesa drejtuar shtetit shqiptar për ndryshimin në Ligjin e Sportit sipas kërkesave të futbollit, por për t’i ardhur në ndihmë klubeve që marrin pjesë në Europë.
FSHF, në pamundësi për të organizuar gjithçka në Shqipëri, ka marrë me vete në Minsk për ndeshjen e kombëtares disa presidentë të klubeve të Superiores, duke organizuar atje “bojkotin” i cili për fasadë do të ketë kërkesën për Ligjin e Sportit. Sipas “Top Channel”, drejtuesit e klubeve që janë pranë FSHF e që zakonisht ndjekin udhëzimet e saj, kanë rënë dakord parimisht që kampionati të shtyhet me disa javë, duke u zhvendosur në fillimin e tetorit.
Kjo vjen kryesisht nga fakti se një pjesë e skuadrave do të gjenden të ngjeshura mes kampionatit dhe Ligës së Europës, që luhet në mes të shtatorit, gjë që nuk ishte marrë në konsideratë nga FSHF kur përpiloi kalendarin, e tani po mundohet që të mbulojë këtë gabim në përllogaritje nëpërmjet këtij bojkoti të organizuar në distancë. Bojkoti do të ndihmonte Kukësin, Laçin e Teutën që të përgatitnin qetësisht ndeshjet e turit të dytë, ashtu si edhe Tiranën që ka siguruar një biletë për play-off të Ligës së Europës. /VipSport/