Kryeministri Edi Rama teksa ka kërkuar të tregohet kujdes nga pandemia dhe të sillemi sikur e kemi virusin, pasi mund të rrezikojmë përhapjen e tij tek të afërmit, tregoi rastin e vëllait të shokut të tij, i cili e humbi betejën me Covid-19.
Rama tha se e njihte personalisht dhe ai ishte i ri.
“Jo më larg se dje unë dëgjova për një person që e kam njohur personalisht, vëllai i një shokut tim që humbi jetën e nuk ishte në një moshë shumë të madhe, ishte i ri. Askush nuk e përcakton dot deri në fund se si dhe pse virusi bën gjëmën tek dikush dhe shfaqet në mënyrë komplet të padukshme te dikush tjetër.
Problemi është që shumë nga ne mund ta marrin e se marrin vesh që e kanë, s’ndiejmë asgjë, vazhdojmë jetën normalisht, e prandaj duhet të sillemi sikur e kemi virusin se ia kalojmë familjarëve, miqve e shokëve“, tha kryeministri Edi Rama.
Deklarata e shefit të qeverisë u bë nga Durrësi, në një takim me nxënësit dhe mësuesit e shkollës “Leonik Tomeo”, për mënyrat se si do të zhvillohet mësimi këtë sezon.
“Nëse drejtuesit e shkollave do jenë në lartësinë e duhur, nëse nxënësit e mësuesit do jenë në lartësinë e duhur, gjasat që nga kjo ne të kemi një goditje më shumë se ajo e parashikuara janë zero, nëse jo, goditja do të jetë e fortë.
Me hapjen e shkollave, numrat do rriten. Por na duhet ti mbajmë brenda parashikimeve.
Të paktën ky vit shkollor do jetë në këto kushte, e kuptoj shumë mirë sa e vështirë është. Jemi 15-20 minuta që po flasim dhe maska, temperatura, qendrimi i gjatë e bëjnë shumë të vështirë, por kjo është një sfidë, sfidat janë për njerëzit e duhen përballuar, ndryshe alternativa tjetër është ta humbasësh e pasojat janë të pallogaritshme. Keni një kanal televiziv të dedikuar vetëm për shkollën.
Ka raste që një shkollë e tëre mund të mbyllet nëse kthehet në një vatër.
Bëni shumë kujdes jashtë shkollës, se mundësia e transmetimit është shumë e madhe. Duhen refuzuar opinionet që ky është një grip i rëndomtë, konspiracion botëror, sajesë, etj. Se cdo ditë njerëzit po ndahen nga jeta, fatmirësisht s’kemi numra katastrofikë, kemi tani një trend të stabilizuar, por cdo ditë ne kemi fatalitete.
Fatmirësisht numri i fataliteteve nuk është i madh sa ka qenë vitin e shkuar në aspektin e goditjeve vdēkjēprurëse nga sëmundjet, por e gjitha kjo s’do të thotë asgjë nëse ky rrezik të vjen në shtëpi”, tha Rama.