Ilir Beqaj nuk humbet kohë. Pasi është emëruar drejtues politik i Ps- së në Qarkun Shkodër, ai ka mbledhur menjëherë në një takim prezantues strukturat politike socialiste në nivel Qarku. Në një takim në mjesid të hapur, në një nga lokalet e qytetit, Beqaj ka qenë i rrethuar nga deputetët Sterkaj, Harusha, Mesi ndërsa ka rënë në sy mungesa e Ditmir Bushatit, i cili u shkarkua si drejtues politik i Qarkut Shkodër.
Po ashtu, të pranishëm kanë qenë drejtuesit e bashkive socialiste në nivel të Qarkut Shkodër por edhe kryetarja e Këshillit Bashkiak të Shkodrës Brisela Kadia dhe kryetari i Këshillit të Qarkut Shkodër Hilmi Lakti. Në takim kanë qenë edhe drejtues të drejtorive apo zyrave rajonale, në varësi të dikastereve qendrore. Vetë Beqaj, në një postim në Facebook, është shprehur në lidhje me këtë takim:
“Privilegj dhe përgjegjësi të jem drejtues politik i PS në qarkun Shkodër. Takim prezantues me Këshillin Koordinativ të Qarkut.”.
Ilir Beqaj rikthehet si drejtues politik i Qarkut të Shkodrës, ku madje ka qenë i zgjedhur edhe deputet. Në këtë detyrë, ai pason Ditmir Bushatin, i cili siç tregoi edhe mungesa në takimin e sotëm, nuk pritet të jetë shumë aktiv. Ndoshta është paralajmërim se nuk do të jetë pjesë e listave të kandidatëve as në zgjedhjet e 2021-it, të paktën në Qarkun e Shkodrës. /ShkodraWeb Media/