Çun Lajçi ka qenë në Shkodër. Nuk po lodhem ta prezantoj. Kush nuk e njeh, është problem i tij. Natën e të shtunës, e paska kaluar në një nga hotelet tradicionalë të Shkodrës. Me gjasë, nuk i është dashur të paguajë asgjë. As për fjetjen e as për ngrënien. Natyrisht, as për kafet. E sot, Çuni besoj ia ka kthyer shumëfish me stilin e tij, me nji shkrim që edhe mue po më grish me dal nga rregullat e “shqipes standarde”. E ka publikue në faqen e tij në Facebook e besoj se asht reklama ma e mirë që dikush i ka ba nji hoteli. E besoj, as Çuni e as hoteli nuk kanë pasë këtë qasje reciproke të paramendueme.
Çun Lajçi ka disa kohë që shfaqet piacave, shesheve e rrugëve të trojeve shqiptare. Që pas humbjes fatkeqe të vajzës, shpirti i tij duket i prirun ma shumë për kah protesta. Protestë jo në emën të tij. Protestë në emën të atyre që i quan dhe e quajnë koleg. E nuk flas vetëm për aktorët, artistët e skenës e të ekranit. Mes tyne, Çun Lajçi ka kohë që shndrit fort. Flas edhe për kolegë të tjerë, ata që shkruajnë libra, botojnë poezi e prozë. Shpirti i gjithëplotmbushun i Çunit, nuk mund të presë vetëm të dalë në skenë apo para nji kamere të shpërfaqet me gjithë fuqinë e tij. E kështu, truni i komandon dorën e ai shkruen.
Me ju thanë të drejtën, filma të Çunit kam pa. Nga ata që të janë me gojëhapur nga skenari e interpretimi por edhe nga ata që quhen komercial dhe prej të cilëve, ndoshta Çuni ka fitue edhe rrogën apo të ardhurat e një viti në vleftë monetare. Kam lexue online diçka kur vajza e vet i thau shpirtin. Por kam lexue edhe sot, diçka mesa kuptoj, fluturimthi e shkrueme. Nuk jam aq ekspert sa me e quejt shkrimtar i madh, i mesëm apo i vogël. Po Çuni shkruen bukur, se shkruen me shpirt ashtu si i vjen dhe për ma shumë, shkruen nji gegnishte jo të zakonshme. Mungojnë zanore, bien me nji apostrof e në fillim, të duket tekst i vështirë. Por kur zhytesh në te, bota përpara të ngjyroset si rrallë herë e pa e kuptue i shkon në fund tekstit. E të len nji shije të mirë, deri në të ambël, edhe pse të ban me reflektue thellë.
Çun Lajçi ishte sot në Shkodër. Na ka lanë nji copë të bukur shkodre, të pikturueme me fjalë. E çfarë fjalësh se…!!! Lum si ata që direkt ose indirekt, u banë pjesë e atyne rreshtave të shkruem me nji frymë, pak para se me dalë në Pedonalen tonë me…shit libra.
Paret që mori nga librat e shitun, nuk janë krejt të parëndësishëm besoj. E thotë edhe vetë, vlefta e nji libri mund të jetë edhe nji ditë plazhi. Por me firmën e tij në faqen e parë të brendshme, me dedikimin e veçantë për secilin, kanë vlerë ma shumë se nji pesëmbëdhjetëditësh pushime. Edhe ma mirë se në Velipojë. Pa llogaritë edhe dhjetra apo qindra foto si kujtim në rrugët e Shkodrës me Çunin. Por sot, si në Prishtinë, Tiranë e kudo tjetër, Çuni protestoi me mënyrën e vet krejt origjinale. Për nëpërkëmbjen e qeverive ndaj artit e artistëve në përgjithësi, e në këto kohë pandemie sidomos.
Për mediat, dalja e Çun Lajçit në rrugë e sheshe, përban lajm. Sa herë që flet, edhe me sharkinë apo lahutën e tij, ai përcjell kumt të rëndësishëm. Sot në fakt, pritsha diçka tjetër. Kolegët e Çunit, aktorët e artistët, mbase edhe shkrimtarët, duhej të ishin të parët në krah të tij. Jo për ti ble libra. Edhe aktorët e shkrimtarët e Shkodrës, përgjithësisht kanë të njëjtat probleme si Çuni, në kuptimin ekonomik e financiar. Pritsha ta mikpritnin e ta shoqnonin në rrugët e qytetit. Të paktën solidaritet, sipas mundësive, edhe një kafe. Thjesht me u ul të tan bashkë sepse çdo lokal i Shkodrës, sot me kënaqësi do t’ia ofronte Çunit jo vetëm nji kafe, por edhe drekë e darkë pa kursim.
Rreth orës 4 të pasdites së sotme, para Kafes së Madhe, Çuni që mesa duket kishte dhanë intervistën e fundit për një koleg gazetar, po mblidhte “plaçkat” për tu zhvendos. Nuk e di nëse do të vazhdojë të qendrojë edhe ndonjë ditë në Shkodër, sepse nuk e di nëse e kemi prit siç e meritonte jo vetëm ai por edhe kauza e tij. Por nëse do të jetë edhe nesër (të mërkurën) në Shkodër, do të kisha dashtë me e pa në mes kolegëve të tij aktorë e shkrimtarë, tan ditën e lume!
Sot Çun Lajçi ishte në Shkodër. A do jetë edhe nesër, nuk e di! /Nga Blerti DELIJA/