Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka hapur tenderin për rikualifikimin urban të hyrjes së qytetit të Shkodrës dhe Parkut për pushuesit. Fondi limit është 189 milionë e 166 mijë lekë.
Vendodhja e zonës së projektit është pjesa hyrëse e qytetit të Shkodrës, në zonën e ish- Pazarit të vjetër të qytetit (Bexhisteni). Kjo është aktualisht një zonë e lenë në harresë e cila shërben në mënyrë të pjesshme si hapësirë publike për qytetaret.
Aktualisht në zonë gjendet shëtitorja e Molos e cila frekuentohet masivisht nga qytetarët si e vetmja pjesë buzë lumit të Bunës që lag qytetin. Zona ndodhet në një pozicion strategjik ku ndodhet në të njëjtin vend ura e Bunës, Kalaja e Rozafës, aty bashkohet lumi me liqenin e Shkodrës.
Veç rikonstruksionit të rrugës hyrëse në qytet dhe zgjerimit të saj, propozohet krijimi i 2 shesheve të grumbullimit në njërin prej të cilëve është i integruar edhe një amfiteatër i hapur me kapacitet 200 vende në funksion të pushuesve. Gjurmët e objekteve të ish Pazarit të vjetër përkthehen në shtrim duke ofruar hapësira pushimi, kënde lojërash për fëmijë, kënde për lojëra tavoline, kënde leximi etj.
Propozohen gjithashtu në pjesën veriore një hapësire parkimi për automjetet e cila lidhet me shëtitoren aktuale të Molos si dhe hapësira sportive me të gjitha facilitetet nën shëtitoren e Molos në të majtë të saj. Propozohet gjithashtu edhe ringritja e portave hyrëse të Bexhistenit të vjetër duke krjuar dy sheshe të vogla në të dy anet e rruges automobilistike hyrëse të qytetit.
Në rrugën hyrëse të qytetit propozohet të ndërhyhet në rikualifikimin e trotuareve dhe trafikndarësit. Shtimi i gjelbërimit dhe mbajtja e trotuareve në të njëjtën kuotë në të gjithë gjatësinë është domosdoshmëri.
Në pjesën e djathtë të rrugës propozohet zëvendësimi i gardheve me mur të ri rrethues. Gjithashtu propozohet sistem i ri i rinovuar i ndriçimit të rrugës. Në pjesën e trafikndarësit do të hiqen vazot aktuale dhe i gjithë trafikndarësi do të kthehet një rrip të gjelbëruar me bimë të ulëta dekorative shumëngjyrëshe. Projekti që pritet të shohë dritën e financimit, është përgatitur nga Bashkia e Shkodrës. /Scan TV/