Lulzim Basha, kryetar i Opozitës së Bashkuar dhe tashmë në finish të garës për kryeministër të vendit, ka kërkuar kufizimin me ligj të numrit të mandateve të kryetarit të Këshillit të Ministrave. Mund të duket risi që vjen nga Shqipëria për mbarë globin, por në fakt nuk është kështu. Vendi më demokratik i botës, Shtetet e Bashkuara, kanë kufizuar mundësinë e rizgjedhjes vetëm një herë të presidentit të tyre. Për SHBA-të, presidenti ka fuqinë e kryeministrit, pra përfaqëson ekzekutivin.
Pak orë pas artikulimit të Bashës, disa ithtarë të mandatit të tretë për Edi Ramën, nisën ironinë në rrjete sociale. Sigurisht, kur nuk ka argumente, kalohet në ironi. “Kryeministër vetëm dy mandate”, konsiderohet shpikje, në një vend ku mazhoranca amorfe kërkon ndalimin e koalicioneve parazgjedhore, nga frika e qartë e humbjes. Në Shqipëri, ku e njëjta mazhorancë, në panik nga pamundësia e vënies nën kontroll të portaleve dhe mediave sociale, kërkon kufizimin me ligj të lirisë së medias, edhe pse Kushtetuta e mbron me ligj këtë liri.
Shqipëria nuk është republikë parlamentare, as presidenciale. Vendi ynë është republikë kryeministrore. Sidomos pas ndryshimeve të 2008-ës, kryeministri është i gjithëpushtetshëm në këtë vend. Pikërisht këtij posti, në një vend me demokraci të brishtë dhe pa rregulla stabile loje që ndryshohen edhe në mes të saj në mënyrë të njëanshme, i duhet kufizuar me ligj etja për pushtet pa limit, edhe kohor. Kush nuk e ka kuptuar këtë, është thjesht dhe vetëm problem i tij.
Një kryeministër me kompetencat që jep Kushtetuta e Shqipërisë, që në ditën e parë të ardhjes në pushtet, nis punën për mandatin e dytë, më pas për të tretin e me rradhë. E në një vend shumë të varfër dhe ku vota blihet e shitet si në pazarin e Roskovecit, ku militantët janë gati edhe për burg vetëm të fitojë partia e tij dhe “prijësi” i saj, duhet prerë me ligj çdo iniciativë, që në këtë vend është e lehtë të realizohet.
Lulzim Basha meriton respekt për këtë propozim. Ai e artikulon atë kur është më pranë se asnjëherë uljes në karrigen e kryeministrit. Ai propozon që atij të parit, më pas edhe të tjerëve pas tij, ti kufizohet etja për pushtet, nëse e ka apo i lind gjatë ushtrimit të pushtetit. Këto 30 vite, e kanë kthyer në domosdëshmëri një nismë të tillë, e cila shpresojmë të jetë një nga të parat e materializuara nga qeveria e pas 25 prillit 2020. /Shënim i ShkodraWeb Media/