Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi, ka reaguar lidhur me vendimin e Këshillit Bashkiak për ankimimin në gjykatë për vendimet e marra lidhur me KF Vllaznia nga Qytetarja e Parë e Shkodrës. Pavarësisht se në kushtet e vetizolimit në shtëpi për shkak të infektimit me Covid-19, Ademi e ka përcjellë opinionin e saj të parë përmes disa rreshtave.
“Nuk jam njohur me projekt vendimet. E kam dëgjuar për herë të parë përmes televizionit. Jam e qetë në ushtrimin e detyrës time me korrektesë.
Nga paraqitja në seancën e këshillit, teknikisht asgjë nuk kuptova nga pretendimet. Do ta lexoj me vemendje dhe do të hedh dritë me profesionalizëm për çdo paqartësi në aplikim të ligjit nëse kanë.
Meqënëse ka interes nga mediat, po ju dërgoj vendimet e të gjithë kryetarëve të Bashkive Vlorë, Kamëz, Lushnjë, etj. Ata, me tagrin që u jep ligji, kanë ushtruar detyrën sikurse ligji parashikon. Nuk besoj se Shkodra për faktin e të qenurit në opozitë bën ndonjë përjashtim.”, thotë krryebashkiakja Ademi, e cila ka vënë në dispozicion të mediave dhe vendimet të bashkive të tjera lidhur me shoqëritë aksionare në pronësi të qeverisjes vendore.