Shkel e shko dhe puna që po bëhet në rrugën Qaf Thore- Theth. Viti i dytë që nga fillimi i punimeve dhe finalizimi duket akoma i largët. Nuk bëhet fjalë për hapje të rrugës, pasi rruga ka afro një shekull e hapur, por për zgjerimin dhe asfaltimin e 16 km në këtë segment.
Po ndaj me ju instalimet e fundit me materiale tekstile që do shërbejnë si mure mbajtëse dhe mbrojtëse ndaj shembjeve të mundëshme dhe pjerrësive ekstreme që ofron relievi aty. Investimet me mure tekstile janë investime me kosto të ulët që zakonisht zbatohen për mbajtjen e brigjeve të buta në vende me tension të ulët të terrenit.
Duket që në hapat e parë që ky është një model i dështuar për atë tip relievi të alpeve tona. Pavarësisht kësaj instalimi i tyre akoma vazhdon.
Në vitet që vijnë përveç strukturave metalike mbrojtëse, tashmë të shtrembëruara e të shkatërruara prej vitesh, i bie që ndotjes së peisazhit do i shtohen dhe tekstilet e shqyera, shembjet e dheut dhe rënja e gurëve mbi rrugë.
Rruga që gjarpëron përgjatë një prej vendeve më të bukura malore në Europe do jëtë një tjetër pasqyrëe e aftësive tona inxhinierike dhe korrektësisë institucionale. Nëse vazhdohet kështu, me siguri do jetë një simbol i punëve shkel e shko që financojnë dhe monitorojnë institucionet tona dhe një medalje paaftësie dhe mungesës së dinjitetit në gjoksin e inxhinierëve projektues dhe zbatues.
Organet e drejtësisë dhe kontrollit të shtetit do informohen për çdo abuzim dhe punë Shkel e Shko që demton peisazhin e Thethit dhe alpeve tona të bukura.
Të bëhen korrigjimet sa është akoma në kohë! /Nga Mark RUPA, ish- këshilltar bashkiak i Shkodrës/