Bëhen publike fotot e dy nga tre të zhdukurit në Malësinë e Madhe. Bëhet fjalë për shtetasit Vilson Çutaj nga Bajza e Malësisë së Madhe 37 vjeç, Klement Pepaj 21 vjeç nga fshati Vrith. Dyshohet se bashkë me shtetasin tjetër Danjel Pepaj, 25 vjeç, kanë patur një fund tragjik.
Alarmin për zhdukjen e tyre ditën e djeshme e dhanë të afërm të të rinjve, ndërsa ditën e sotme, informacioni është konfirmuar edhe nga Policia e Shkodrës. Uniformat blu nuk nxitojnë të japin lajme për fatin e të rinjve, duke u mjaftuar me pohimin se po kontrollohet në territor për gjetjen e tyre.
Para policisë, ishte gazetari investigativ Artan Hoxha që publikoi lajmin. Ditën e sotme, ishin familjarë të të rinjve që dhanë informacione për mediat për kontaktet e fundit me ta. Deri në këto momente, zhdukja e tyre është mbuluar nga misteri, pavarësisht pistave që po qarkullojnë.
Një nga ato, konsiderohet për “motive të dobëta”, për shkak të një femre, siç e publikon dhe gazetari Hoxha. Në fakt, vetë hoxha këmbëngul duke thënë se gjithçka lidhet me pazare me “mallin jeshil”. Policia nuk ka bërë publike akoma një pistë zyrtare.