Pavarësisht revoltimit, që nuk kalon caqet e kolektiveve, për tu kthyer në një reagim llogarikërkues ndaj institucioneve përgjegjëse, afërsisht 80% e arsimtarëve në Malësi të Madhe, vijojnë endjen nëpër rrugët e kësaj bashkie sa në një mjet transporti në tjetrin, për të mbërritur në shkollat e tyre. Shpesh përfundojnë në furgona të tejmbushur me pasagjerë, aq sa të vjen një e qeshur sarkastike, kur mendon ritualin e protokollit që ai duhet të zbatojë në ambjentet e institucionit për mbrojtjen nga Covid-19, ndërkohë e ka shkelur gjithë skenarin me të dyja kembet që në mënyrën sesi udhëton për tek vendi i punës.
Që nga 10 ditëshi i fundit i muajit gusht e deri sot më datë 5 tetor 2020, më shumë se çdo ndjesi tjetër, ka provuar nëpërkëmbjen e autoritetit të tij. Nëse për vite me radhë, të paktën për transportin për të shkuar tek vendi i punës, nuk ka pasur kokëçarje, së fundmi ka 1 muaj e gjysëm që është kthyer në një endacak i orëve të para të mengjesit dhe ato të drekës.
Shpesh vendoset në pozita “lutese”, duke shpresuar që ndonjë autombjet do të ketë një vend bosh për të. Kolektivat janë përçarë, për shkak të mënyrës se si udhëtojnë. Disa në furgonët e rrallë e disa në makina private. Përgjatë një jave mund të ndërrojnë më shumë se 10 automjete, pa kurrfarë masa sigurie. Në më të shumtat e rasteve, mjetet tejmbushen dhe janë të rrallë pasagjerët që mbajnë maska. Po çfarë ka ndodhur me transportin e tyre?
Çuditërisht tenderi që përcaktoi kompaninë fituese, e cila më tej bën shpërndarjen e linjave, u hodh me datë 18 shtator, 4 ditë pas fillimit të vitit shkollor. Sipas burimeve që vijne nga kjo kompani, nga Bashkia Malësi e Madhe, e cila lidh kontratat me drejtuesit e mjeteve, si dhe nga vetë këta të fundit, ngërçi i tejzgjatur vijon pçr mosplotësim dokumentesh nga vetë drejtueist e mjeteve. Nëse për vite me radhë është toleruar mosplotësimi i rregullt i dokumentacionit, por ka mjaftuar vetëm një vertetim i thjeshtë nga drejtuesit e IA- ve për transportin e arsimtarëve, tani zbatimi i ligjit kërkon të jetë dorë e “hekurt”.
Në fakt zbatimin e ligjit e duam të gjithë, por a do munden drejtueist e furgonave të plotësojnë gjithë dosjen që iu kërkohet? Ndryshe kontrata me bashkinë nuk do të lidhet. Nga ana tjetër, u kërkohet drejtuesve të hyjnë në shoqatë ku marrin të drejtën të pajisen me një dokument, që do t’ iu nevojitet për lidhjen e kontratës. Antarësimi përflitet që kap vlerën e 200.000 lekë të vjetra. Ka rezultuar që 20% e drejtuesve të furgoneve ta kenë paguar atë, gjë që faktohet edhe me daljen e tyre në punë. Pjesa tjetër ose e refuzojnë këtë pagesë, ose hasin në pengesa të tjera për plotësimin e dokumentacionit.
Ngërçi pçr tu zgjidhur se i kujt është faji, sa vjen dhe rritet: Tenderi që hidhet me vonesë, paralajmërimi ndaj drejtuesve të mjeteve që nuk u bë që në prill të 2020- ës, i cili do t’i nxiste ata të plotësonin dokumentacionin në kohë, pagesa ndaj antareësimit që rezulton e lartë për drejtuesit, apo burokracitë e zyrave shqiptare, tek të cilat të del shpirti derisa të marresh gjithë dokumentacionin e nevojshëm?
Por ajo që më shqetëson më shumë është: Ky problem, i cili ka 1 muaj e gjysëm, si ka mundësi të mos ketë zgjuar interesin që nga ZA, Drejtoria Rajonale në Lezhë, pasi si problem nuk shihet ta ketë vetëm Malësia e Madhe por edhe vetë Shkodra? Si ka mundësi edhe reagimi nga Ministria është inkezistent? Po vetë arsimtarët kur do vijë dita që të ndërgjegjësohen dhe të reagojnë për probleme kaq jetike, të cilat jo vetëm lidhen me dinjitetin e tyre, por dhe me sigurinë shëndetësore apo dhe xhepin e tyre.
Të paktën për 1 muaj e gjysëm janë duke paguar 2-fishin e transportit pasi rruga bëhet e copëzuar me disa mjete. Për çfarë rritje rroge bëhet fjalë kur vetë transporti automatikisht ka 1 muaj e gjysëm që ka ulur ndjeshëm të ardhurat e tyre?
Cili është motivimi i një mësuesi në procesin mësimor, kur mëngjesi për të nis me stresin e transportit? Jepini fund endjeve të tij sepse nuk e meriton. Po nëpërkëmbni trurin e shoqërisë shqiptare. E gjitha një dite do të kthehet mbi vetë ju, që keni në dorë fatin e tij dhe po heshtni. /Nga Kozeta BRUÇI, mësuese dhe gazetare TV1 Channel/