Kryetari i Partisë Demokristiane Nard Ndoka, i ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24” tha se kanë mbetur edhe ca ditë që Edi Rama të reflektojë për Kodin Zgjedhor.
“Kodi Zgjedhor ende nuk është ligj. Kryeministri Edi Rama ende ka kohë të shikojë miratimin e kodit. Ka një thirrje nga presidenti Meta për rikthim të projekt-ligjit në parlament. Unë shpresoj që zoti Rama të ndryshojë strategjinë. Besoj se i ka ikur koha sulmeve dhe forcave.
Uroj të ketë ndërgjegjësim nga parlamentarët e Kuvendit të Shqipërisë. Uroj që Rama të reflektojë në këta ditë. Vendi po shkon kaosit dhe krizës së thellë. Basha ka vepruar në mënyrë diplomatike, duke e lënë Ramën që të zhytet më shumë në mëkatet e tij”, tha Ndoka.
Nard Ndoka thekson se opozita e bashkuar po tenton të zhvillojë fitore spektakolare. Ai shtoi se presidenti Meta po mbron Kushtetutën.
“Takimet tona, të aleatëve opozitarë me zotin Basha kanë qenë permanente. Opozita e bashkuar vepron së bashku. Ne po tentojmë që fitorja e opozitës të jetë spektakolare. Jemi të përkushtuar për të rrëzuar sistemin aktual, që favorizon pak oligarkë. Sot qytetarët nuk presin vetëm largimin e Ramës, por duan shpresë.
Presidenti Meta po mbron Kushtetutën, nuk po mbron opozitën. Normalisht që sjellja e Ramës meriton tone të larta. Rama vetëm presidentin nuk e ka kapur si institucion, kurse opozita është e vendosur në idetë e saj dhe jep shpresë tek qytetarët, duke dhënë alternativë”, u shpreh Ndoka.
Më tej, Ndoka vlerësoi se Basha është një lider që di të ofrojë shpresë, duke shtuar se PD sot është forcë e parë politike.
“PDK është një parti e rëndësishme, ka pasur përfaqësimin e vet. Nuk na tremb të garojmë edhe në rang kombëtar. Basha është shprehur që opozita duhet të garojë me listë të përbashkët. Varet nga teknika që do ndjekim, por varet cila taktikë zgjidhet, e gjithçka do jetë transparente.
Basha është një lider që di të ofrojë shpresë. PD është sot forcë e parë politike. Historia ime politike lidhet me Partinë Demokratike. Ne duam largimin e Edi Ramës, pastaj pjesa e bashkëpunimit është tjetër temë. Ai e shikon se shumatori i votave tona e nxjerr të humbës”, deklaroi Ndoka.
Nard Ndoka tha se edhe vetë Rama nuk e beson se do të fitojë mandatin e tretë, kurse vlerësoi se ndërkombëtarët nuk e duan më kryeministrin aktual.
“As vetë Rama nuk e beson mandatin e tretë. Edi Rama është bërë tashmë delja e zezë për faktorin ndërkombëtar. Gjermanët nuk e presin më as si kryeministër. Krushku ynë me brekushe do rrijë të presë.
Jam i shqetësuar se BE mund të ndalojë hyrjen e shqiptarëve në hapësirën e unionit. Rama prishi imazhin e Shqipërisë në BE dhe zhyti vendin në borxhe”, përmbylli Ndoka.