Policia e Shkodrës ka vënë në pranga babain e Daniel Pepajt, Rrok Pepaj. Burime jo zyrtare bëjnë të ditur se ai është arrestuar për bashkëpunim në kultivim të lëndëve narkotike. Daniel Pepaj dyshohet se është autori i vrasjes së dy të rinjve, Vilson Çutaj dhe Klement Pepaj në Malësinë e Madhe.
Ka qenë babai i Danjel Pepaj, Rrok Pepaj, ai që ka treguar vendin se ku ndodhej parcela me kanabis që kultivonte djali i tij. Burimet thanë se ishte drejtori i Policisë Shkodër, Niko Brahimaj, ai që e ka bindur Pepaj për të treguar vendin e parcelave me kanabis.
Po ashtu, mësohet se në zonën ku u ekzekutuan dy të rinjtë, ndodhen edhe parcelat me kanabis të dy viktimave, të cilat ishin vjedhur gjatë ditëve të fundit. Për këtë vjedhje, viktima akuzonin Danjel Pepaj se ishte ai personi që i kishte korrur. Përveç parcelave me kanabis që ishin mbjellë nga tre personat e lartpërmendur, dyshohet se janë gjetur edhe dy parcela të tjera me kanabis.
Babai i Danjel Pepaj, shtetasi Rrok Pepaj, ka deklaruar në dëshminë e tij për policinë se djali i tij prej dy javësh nuk ndodhej fare në Shqipëri, sepse sipas tij kishte shkuar për të punuar në Malin e Zi.
Këtë pretendim e rrëzon poshtë vëllai i Vilsonit, Olsi Çutaj, i cili ka treguar se më tre tetor kanë qenë të katërt te lokali në Bajzë dhe më pas kanë shkuar drejt Vrithit, ndërsa Danjelin e kanë parë edhe banorë të tjerë.