Kreu i PD, Lulzim Basha shfrytëzoi konferencën e sotme, për të sqaruar lapsusin e bërë në konferencën e një dite më parë. Gjatë fjalës së tij, Basha u shpreh se ajo që donte të thoshtë ishte se 6 në 10 biznese janë në kushtet e falimentimit dhe sipas tij këtë e thotë Banka Botërore.
Teksa ironizoi kryeministrin, kryedemokrati u shpreh se Rama i dëgjon konferencat e tij, por i kërkon që të zbatojë planin me 5 pika të prezantuar nga PD.
“Si një njeri që kurrë nuk ka pasur sy mendje dhe zemër për shqiptarët e tradhtoi veten e tij. E kishte ndjekur konferencën tonë, ishte marrë me lapsusin tim. Herës tjetër kur të bëj lapsus do ta nxjerr vetë i pari që të mos ketë kohë të merret me atë, por të bëjnë detyrën për të cilën është akoma aty.
Nuk ka rëndësi nëse bëj një apo dy lapsuse. Ato lapsuset e mia nuk i kushtojnë asgjë shqiptarëve. Ajo që i kushtojnë shqiptarëve është e vërteta.
Ajo që thashë dje ishte lapsus, 6 në 4 është 6 në 10 biznese. Këtë e thotë BB, por kujt t’ia thuash.
Ja që i dëgjon fjalët e mia, por jo për ti ardhur në ndihmë shqiptarëve, por për të vazhduar vjedhjen e lekëve të shqiptarëve.
Meqë më dëgjon për të kapur lapsuse tek unë, i bëj thirrje të zbatojë planin me 5 pika, ndryshe do të mbajë përgjegjësi penale për çdo jetë që humbim për shkak të braktisjes së kujdesit shëndetësor”, tha Basha.