Është bërë gati një tablo e zakonshme të shikosh në rrugët e një vendi të varfër si Shqipëria, automjete luksoze të markave nga më të njohurat, luks që në Evropë do të guxonin ta kishin vetëm pasanikë apo personazhe me të ardhura të konsiderueshme të deklaruara nga puna që bëjnë. Në fakt deri tani në Shqipëri drejtuesit e këtyre automjeteve kanë lëvizur të lirshëm pasi askush nuk u ka kërkuar llogari se me ç’të ardhura i kanë mundësuar vetes posedimin e një luksi të tillë.
Makina që kushtojnë dhjetëra mijëra euro, që sfidojnë rendin lirshëm, që shkelin çdo normativë rrugore, por mbi të gjitha ajo çka të habit është mosha e personave që i posedojnë. Të rinj që nuk i kanë thënë njëherë në jetën e tyre Mirëmëngjes punës, por që lëvizin me Lamborgini, Ferrari, Porsche apo Maserati te fundit, çka rrit më shumë dyshimin se mbi ç’bazë të ardhurash i kanë mundësuar të tilla pasuri?!!! Një sjellje problematike që është kthyer në shqetësim edhe për rendin publik, nuk mungojnë ngjarjet që kanë në qendër personazhe të tillë që popullojnë kryesisht netët në klube nate, apo që janë kthyer në burim aksidentesh me pasoja në humbjen e jetëve të pafajshme njerëzore.
Mjafton të kujtojmë këtu ngjarjen e rëndë të 14 Tetorit 2016, në autostradën Tiranë-Durrës, pranë Sukthit, ku një personazh i njohur për lidhjet me botën e krimit, i identifikuar si Dashnor Deliallisi, ndërsa udhëtonte me shpejtësi marramendëse në sensin e kundërt të lëvizjes në autostradë me makinën e tij tip Range Rover, përplasi dhunshëm një automjet tjetër ku udhëtonin tre vajza, duke u marrë jetën tre të rejave por edhe vetes. Një personazh i cili edhe pse nuk kishte një punë të deklaruar, posedonte makina të shtrenjta, bënte një jetë natë të shfrenuar dhe vishej me aksesorë luksozë.
Rasti analog i shumë personazheve të tjerë që sot i shikon rëndom duke bërë të fortin në rrugë apo duke sfiduar hapur uniformën e shtetit. A është i ligjshëm apo jo ky aksion i fundit i Policisë? A mund të ndalohet një automjet thjesht sepse në pamje të parë është luksoz? Sigurisht që jo. Por ne farë mirë këtyre pyetjeve mund tu japim një zgjidhje, duke u dhënë një përgjigje ligjore. Si keni mundur ti vini këto pasuri pa pasur asnjë ditë pune të shënuar në bordero?!!!!