Pikërisht në ditën që shqiptarëve u është kërkuar mbajtja e detyrueshme e maskave (ose në të kundërt do të perballen me gjoba të konsiderueshme për xhepin e tyre të shpuar), kryeministri i Shqipërisë ka vendosur t’u hakërrehet gazetarëve e të ftuarve të tjerë në një emision televiziv duke thyer edhe rregullat e distancimit social.
Duke menduar se çjerrjet e britmat që e karakterizojnë komunikimin e tij ishin të pamjaftueshme, ai ka vendosur të ngrihet, të thyejë rregullat e pandemisë, që i ka vendosur vetë dhe t’u përplasë në fytyrë gazetarëve… gjithçka.
Shkaku: Nuk i pëlqejnë pyetjet e gazetarëve!
Komunikimi abuziv dhe bulist i kryeministrit nuk është një dukuri e re. Në qoftë se ai nuk do të ishte në këtë post te rëndësishëm, ky do të ishte një problem me të cilin do të përballej veç familja a miqtë e vet. Por ka “qëlluar” që ai drejton një qeveri, përfaqëson shtetin shqiptar dhe mbi të gjitha shfaqet nëpër ekrane ku e shikojnë i madh e i vogël. Ndërsa të rriturit mund të bëjnë vlerësimin e tyre nëse ky model i përfaqëson ata dhe vlerat e tyre, cili është taksirati i fëmijëve, nxënësve e studentëve të përballen me një model të tillë? Si mund te largohen nga mendjet e tyre fanepsje e lajthitje te tilla?
Shkollat, gjimnazet e universitetet shpenzojnë burime e energji me vite të tëra për edukimin e brezave të rinj, përpjekje këto që shkojnë në kosh sa herë që figura publike sillen në mënyrë të tillë, fare të padenjë për një komunikim etik në vitin 2020.
Hakërrimat e kryeministrit duhet të jenë objekt masash disiplinore dhe ndëshkimi nga institucionet shqiptare sepse ai në mënyrë sistematike intimidon gazetaret, kundërshtarët politikë dhe qytetarët e thjeshtë që guxojnë të ngrënë pyetje, të japin mendime dhe të sfidojnë mënyrën tij te të menduarit e të vepruarit.
Hakërrimat e tij duhet të jenë objekt ndëshkimi edhe nën masat anti-covid që ai i ka projektuar e aprovuar vetë.
Spërklat e pushtetit abuziv shpërndahen pa mëshirë në fytyrat e shqiptarëve sot dhe duket se janë bërë po aq të rrezikshme sa edhe ato të Covid-19. Është detyrë e çdo qytetari që ashtu sic vë maskën per tu mbrojtur nga Covid, ashtu duhet të refuzojë te degjojë e shikojë këtë model te papranueshëm te komunikimit me publikun. /Nga Iva GRILLO/