Suad Lici pritet të largohet nga posti i administratorit të klubit të Vllaznisë. Ajo që përflitej prej ditësh duket se do të zyrtarizohet gjatë kësaj jave.
“Panorama Sport” mëson nga burime në klub se Lici ka paraqitur dorëheqjen pranë kryetares së bashkisë Shkodër, Voltana Ademi. Tashmë mbetet në dorën e Këshillit Mbikqyrës të klubit për të miratuar ose jo dorëheqjen e Licit.
Gjasat janë që diçka e tillë të miratohet dhe të caktohet një emër tjetër në vend të ish- futbollistit shkodran, i cili që prej verës së vitit 2018 është në krye të klubit me një mandat i përfundonte më 21 korrik 2021.
Burime pranë ish- lojtarit tregojnë se kjo tërheqje është edhe për shkak të angazhimeve të shumta që ka me një biznes të cilin e ka prej kohësh. Ndërkohë, në Shkodër kanë nisur që tani të mendojnë për emrin që do të pasojë Licin, teksa bëhet fjalë për Benjamin Naku, i cili është njëkohësisht anëtar i këshillit mbikëqyrës të klubit. Bëhet fjalë për një emër të njohur në qytet, i cili ka qenë dikur gjimnast me famë te Vllaznia.