Kreu i PD-së, Lulzim Basha tha se të gjitha partitë apo lëvizjet e ish-anëtarëve të Partisë Demokratike, që kërkojnë rrëzimin e qeverisë Rama, do kenë aleat selinë blu dhe opozitën, që siç tha kryedemokrati, ka sot “koalicionin opozitar më të madh të këtyre 30 viteve pluralizëm”.
Sipas tij, kushdo që është për ndryshimin, njësoj si shumica e shqiptarëve “e ka të hapur rrugën e opozitarizmit me të gjitha format e mënyrat, ku PD si forca më e madhe opozitare ka e do ketë edhe përgjegjësinë edhe rezultatin për tju përgjigjur sfidës së madhe të ndryshimit që presin shqiptarët”.
Ndërsa tha se fati i atyre që kanë vendosur të bëhen “patericë” e Ramës, do jetë njësoj si i qeverisë.
Pyetje për rrugën e PD deri në 25 prill, aktualisht ka disa parti që do garojnë, Bamir Topi, Astrit Patozi, Jozefina Topalli ka një lëvizje, Murrizi, Hajdari, ish deputetë të PD. A i minojnë këto mundësitë e PD për të fituar?
BASHA: Të gjithë ata që ndajnë bashkë me ne dëshirën dhe vullnetin për ndryshimin që kërkon shumica dërrmuese e shqiptarëve janë pjesë e një përpjekje.
Ata që kanë vendosur të bëhen patericë e një qeverie e kryeministri të dështuar, të falimentuar që ka shkelur cdo premtim që për dy mandate ka vjedhur e shkatërruar shqiptarët e ekonominë e tyre ata mendoj që e kanë të lidhur fatin me të.
Kështu që kushdo që është për ndryshimin, njësoj si shumica dërrmuese e shqiptarëve kërkon ndryshim e ka të hapur rrugën e opozitarizmit me të gjitha format e mënyrat,
ku PD si forca më e madhe opozitare ka e do ketë edhe përgjegjësine edhe rezultatin për tju përgjigjur sfidës së madhe të ndryshimit që presin shqiptarët.
Është e pandalshme, energjia e vullneti, pozitiviteti jonë, përgjigjet që kemi ndaj krizës janë një pjesë e vogël e asaj që unë prek e shoh cdo ditë në terren, nevojës ulëritëse për ndryshim, nuk ka forcë minore apo madhore ta ndalë këtë, ndryshimi është i pandalshëm, cdo kush që ka vullnetin e dëshirën për t’ju bashkuar këtij ndryshimi, ka te PD aleat të natyrshëm.
A është përgjegjësia juaj për ti bashkuar si lider i opozitës?
BASHA: Përgjegjësi që e kam marrë shumë seriozisht e është një nga arsyet kryesore pse opozita ka sot koalicionin më të madh në historinë 30 vjecare të pluralizmit, që e shtyu njeriun që ka tmerr e frikë nga zgjedhjet të bëjë të pabërën në 30 vite ndryshojë kodin zgjedhore me shpresën se do gjejë formula që e shpëtojnë nga e pashmangshmja.