Lëvizja për Ndryshim duket se do të je të një parti politike që do të prezantohet së shpejti dhe sipas gjasave, do të jetë garuese në zgjedhjet e 25 prillit 2021. Fillimisht, duket se iniciatorë u bënë disa të rinj, ndërsa sipas FaxWeb, e cila citon burime jozyrtare, ish- kryeparlamentarja Jozefina Topalli, pritet ti bashkohet kësaj lëvizje politike.
E pyetur lidhur me këtë lëvizje, Topalli është shprehur se ajo do ti bashkohet çdo iniciative që është kundër klasës politike të korruptuar, por e ka mohuar që është organizatorja e gjithë kësaj.
Topalli shprehet se ajo do ta shohë në vijim nëse do të jetë pjesë e kësaj lëvizje, apo ndonjë organizimi tjetër, që synon luftimin e korrupsionit në vend, ndërsa shton se ftesa për të marrë pjesë në takimin prezantues të kësaj nisme i ka shkuar edhe asaj.
“Vendi ka nevojë për shpresë, eja bashkohu me ne”, është edhe slogani i Lëvizjes për Ndryshim, e cila pritet të prezantohet në datën 28 Tetor, por ende nuk dihet se kush do të jenë drejtuesit e saj, dhe as platforma ku do të mbështeten.