Pas shumë përpjekjeve ka nisur më në fund operacioni për kthimin e shqiptarëve nga kampi “Al Hol” në Siri. Në fazën e parë të operacionit është bërë i mundur evakuimi i pesë personave, mes tyre katër fëmijë dhe një grua e plagosur rëndë. Gazetari Eni Ferhati ka zbuluar edhe emrat e disa shqiptareve, të cilat kanë refuzuar ndihmën e autoriteteve për t’i shpëtuar kampit të ferrit.
“Bëhet fjalë për disa shtetase shqiptare që kanë shkuar në Siri në 2014-15, të cilat janë radikalizuar dhe nuk pranojnë të kthehen. Janë fshehur dhe nuk kanë dëshirë të kthehen.
Madje disa prej tyre, janë Emanulea Daci, e cila është bashkëshortja e Almir Dacit i cili është vrarë në luftë atje, Mirvete Dibra, Eva Dumani, Hajrie Tushani dhe Elona Shuli. Janë këto shtetase, që nuk kanë pranuar të nxirren nga kampi dhe janë fshehur së bashku me fëmijët e tyre”, theksoi Ferhati.
Gazetari shprehet se merita kryesore në këtë operacion humanitar i takon Anti-terrorit shqiptar. Sipas tij, mbi 99% e punës është kryer nga Anti-terrori, kurse Gjysmë Hëna e Kuqe Siriane shtoi ai, ka ndihmuar me bazën materiale.