Në kuadër të fillimit të aksionit kundër informalitetit, Ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj i është drejtuar sipërmarrjes me një letër të hapur, për bashkëpunim në kuadër të betejës, me qellim rritjen e pajtueshmërisë ndaj zbatimit të ligjit dhe nxitjen e vetëkorrigjimit për zgjerimin e bazës tatimore. Ministri sqaron ku do të fokusohet aksioni në terren, paralelisht me të cilin do të zhvillohet edhe një tjetër reformë e rëndësishme e lehtësimit të procedurave në favor të përmirësimit të klimës së biznesit.
LETRA
Të nderuar,
Ministria e Financave dhe Ekonomisë do të prezantojë së shpejti planin e detajuar të aksionit për vazhdimin e betejës kundër informalitetit në ekonomi, si një nga prioritetet tona kryesore përgjatë mandatit të parë dhe që do të vijojë të mbetet i tillë edhe në katërvjeçarin e ardhshëm.
Ne mbetemi këmbëngulës në zbatueshmërinë e ligjit, për garantimin e rregullave të drejta e të barabarta në një treg të hapur e konkurrues, por në të njëjtën kohë, tejet mbështetës e bashkëpunues me biznesin sepse në këtë betejë, ne dhe sipërmarrja qëndrojmë në të njëjtën anë.
Tashmë kemi një eksperiencë të suksesshme nga viti i kaluar, me hartimin e paketës së thjeshtuar të mbi 42 procedurave tatimore e doganore, krahas një sërë lehtësish të tjera të prezantuara në funksion të përmirësimit të klimës së biznesit. Angazhimi ynë në këtë drejtim, vijon edhe me një tjetër reformë thelbësore në favor të sipërmarrjes, dhe rregullimin e tregut përmes reduktimit të numrit të lejeve/licencave dhe autorizimeve si dhe dokumenteve që kërkohen nga zyrat e shtetit për përfitimin e një shërbimi apo të drejte.
Qasja jonë për betejën pa kushte dhe me zero tolerancë kundër informalitetit, ka hyrë në një stad të ri, në përgjigje të të cilit do të duhet të kalojmë edhe në një fazë të re të përgjegjësisë tatimore, bazuar tek rritja e pajtueshmërisë ndaj zbatimit të ligjit, vetëkorrigjimi, vullnetarizmi dhe transparenca.
Strukturat në varësi të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe Inspektorati i Punës do të organizohen në grupe të përbashkëta, të orientuara nga analiza e profileve të riskut të sektorëve dhe bizneseve brenda tyre duke pasur në fokus të gjithë zinxhirin e transaksioneve nga biznesi i madh deri tek konsumatori final. Punësimi e siguria në punë, do të kenë një vëmendje të posaçme brenda aksionit.
Me bindjen që informaliteti është një sfidë që e ndajmë së bashku, unë ju ftoj ta përmirësojmë eksperiencën tonë të deritanishme për të ndërtuar një realitet të ri të zbatimit të ligjit. Çdo sugjerim, ide, rekomandim konkret i juaji në këtë drejtim, është më se i mirëpritur për ta ndarë në një tryezë të përbashkët diskutimi në ditët në vijim.