Lexoj postime. Pafund postime për Vjenën. Lexoj persona(zhe) që tashmë ia di mendimin ende pa lexu ç’ka kanë shkru. Janë direkt paragjykues dhe ia kuptoj qartë dëshirën që të ketë sa ma shumë ngjarje të tilla për më pas kauza linçimi e islamin me e njehsu me dreqin.
Sidoqofte aq dijnë e aq bajnë. Nuk asht ky qëllimi i kësaj që po mendoj. E kam me një kategori tjetër. Persona të fesë të cilës i përkas.
Kanë ditë e ditë e ditë e ditë me radhë që i mëshojnë teorisë së provokimit. Na provokuan ketu, na provokuan aty, na prekën këtu, ma prekën aty. Po pse mor, a kaq të marrë jeni ju sa me ju çu për lesh një reviste satirike?
A kaq të lanun jeni në tru të vogël, sa me ju errësu sytë një mësues periferik, vdekjes së të cilit iu gëzut ma shumë se vdekjes së Millosheviçit?
A kaq i keni thanë trunit “ik pjerdhu” saqë një veprim i vetëm i Macron ju ban me shpall “xhihad” e me i hek vite jete vedit prej stresit të “fyerjes”?
Po kaq të mire e të bukur në shpirt jeni saqë Europa nuk flen ditë e natë tu ba skema djallëzore sesi me ju merzit e me ju nxjerr prej paqes ku relaksoheni?
Po kaq i urren Gjermania turqit saqë sot jetojnë në këtë shtet nja 2 milion të tillë, muslimanë “doc”? Franca po ashtu. Belgjika idem. Jane shtete që kanë prit numrin ma të madh të ekstrakomunitarëve të besimit islam. Jane shtete që urrehen ma fort prej tyne. Edhe prej jush fenomena të FB.
Ju shoh e ndij shpesh me justifikime idiote e pa guxu asnjëherë me vu gishtin në një plagë që dhemb fort, radikalizimi i brezit te ri. Duket sikur ju pelqen. E shijoni. E ndërkohë…
Ndërkohë vërej me kënaqësi qëbesimtarë muslimanë, që kanë njëfare moshe, arsyetojnë, tolerojnë, prosperojne e vllaznojnë. E praktikojnë dhe besojnë islamin me normat e verteta e të pakrahasueshme të një feje që rrezaton tolerancë dhe paqe.
Vërej (dhe kam miq) klerikë muslimanë, të kenun në pamje e në shpirt. Me veshje të një personi (shqiptari, europiani) si gjithë të tjerët. Njerëz mendjendritur me të cilët mundesh me nda biseda të çdo dimensioni.
Por këta janë shembuj të pamjaftueshëm përballë një të keqeje që ka zënë rranjë në filizat e rinj, ndjekës të islamit. Nuk pretendoj aspak ti hyj një debati për veshjen dhe mjekrrat. Është e drejtë e kujtdo të ndjekë një filozofi të caktuar që i duket me e përshtatshmja, si për veten e si për partneren që ka përkrah.
Debati që duhet hapur dhe diskutuar brenda xhematit të çdo xhamije në trojet shqipfolese, është padiskutim kjo që po ndodh, qasja radikale e më të rinjve. Shikoni debatet në rrjetet sociale. Sot janë bërë më të kujdesshëm por pak vite më parë të rinj të radikalizuar kishim me qindra në mos mijëra në trekëndeshin Shqipëri – Kosovë – Maqedoni.
Pasojat u panë. Fatmirësisht nuk dëmtuan në territor shqiptar por lanë krenat për një kauzë që nuk mund të quhet ndryshe veç terrorizëm. Lanë fëmijë pa faj shkretëtirave të Sirisë.
Ende sot, askush nuk na siguron se ai hoxha i një xhamije të panjohur nga KMSH, diku në fshatra të Librazhdit, nuk vazhdon me të njëjtat thirrje për xhihad, këtë radhë jo në Siri por në zemer të Europës. Urrejtja e një rinie trushpërlarë ndaj kontinentit të cilit krenarisht i përkasim është ekzemplare. Justifikojnë pa mëdyshje çdo akt dhune dhe nuk të pranojnë asnjë argument.
Nga kjo situatë aspak normale, personalisht nuk ndjehem aspak keq që jam musliman. Une ndjehem keq nga ulërimat nxitëse në emër të muslimanëve, të cilët se duan islamin asnjë grimë herë ma shumë se unë… madje e dëmtojnë 1 mijë herë ma shumë sesa unë, jopraktikanti. /Nga Taulant KOPLIKU/