Para disa vjetësh më merr në telefon Pëllumb Kulla dhe më lexon një “kërkesë” që i bëhej Presidentit të asaj kohe, nga një grup intelektualësh që jetonin në Amerikë për një vlerësim nga ana e tij të një figure të shquar të artit skenik dhe më tej, i cili, çuditërisht, për gjatë gjithë krijimtarisë së tij tepër të suksesëshme nuk kishte marrë asnjë titull apo vlerësim… Kur më tha emrin e Koços nuk e besova…
– Koçua pa asnjë vlerësim!!..Ore Pëllumb, tallesh ti apo…
– Jo ore, më tha, është e vërtetë…
E, po..edhe kjo..E pabesueshme…I madhi Koço Devole…
Nuk besoj se ka nevojë të përmend titujt e gradat që presidentët kanë doravitur sa majtas e djadhtas, thjeshtë sepse, dihen më se çfarë nivele “talentesh” janë bërë, le më “Mjeshtra të mëdhenjë”, por, edhe ..”Ndere Kombi”…Por..
Sinqerisht ju them, më erdhi zor nga vetja kur mendova “titullin” që kam, përpara mosvlerësimit të këtij ekselenti, virtuozi, mjeshtri të ekranit dhe skenës…
E falenderova Pëllumbin për nderin që më bënte që të bëhesha pjesë e sadopaktë e “ndihmës” për Koçon dhe natyrisht që pranova edhe unë të vendosesha në listë…
Mbas nja shtatë- tetë muajsh të kësaj ngjarje, përsëri në një bisedë në telefon më Pëllumbin, më thotë:
– Më erdhi haber nga Tirana se Koçon e kishin dekoruar.. E marr në telefon dhe Koçua më rrefen se i kishin dhënë një si farë diplome a vërtetimi si për “mirënjohje” për atë ç’ kish thënë dhe çka jep për artin..
– Si ore kështu, e pyeta i shushatur..
– E kështu…I thashë Koços: Nuk ja përplase turinjëve Presidentit atë “nder” që të bëri….- Ehh, psherëtiu, – e ç’ vlerë do të kishte…
Drejt i dashuri Koço… Ç’ vlerë do të kishte!… Lexoj gazetat dhe kudo je ti me lamtumirën tënde të fundit…
Facebook- u, nga njerzit e “rëndomtë”, siç i quajnë disa zyrtarucë edhe “intelektu-hale” fejsbukasit, që ti me humorin tënde i bëre të buzëqeshnin dhe të qeshnin edhe në hallet më të vajtueshme, vetëm me dhimbjen që le pas largimi i jotë është mbushur…
Edhe unë jam bindur se jo vetëm në atdheun tonë, por kudo ku jetojnë shqiptarë, ti je edhe to mbetesh Koçua, i nderuari dhe i respektuari mbi të gjthë firmat e dekretet zyrtarë sepse ti i dashur Koço ke qenë, je dhe do të mbetesh pjesë e të gjithëve…
Ke qenë dhe do mbetesh hap gazmor, hap shplodhës, i hapave tona të rënduara në këtë rrugë që… /Publikuar në Facebook nga Astrit ÇERMA, aktor/