Përplasja mes administratorit të Vllaznisë, Benjamin Naku, si dhe sponsorit të klubit, Alban Xhaferi, ka tronditur jo pak klimën e mirë që ekzistonte në Shkodër pas rezultateve pozitive radhazi të skuadrës në kampionat dhe Kupë. Kësisoj, pas daljes në skenë të përplasjeve mes drejtuesve para ndeshjes me Elbasanin, “Panorama Sport” mëson se kjo situatë ka shqetësuar jo pak kryebashkiaken e Shkodrës, Voltana Ademi, e cila “de jure” është presidente e klubit. Që në mbrëmjen e së premtes mësohet se numri një i bashkisë ka kërkuar takim urgjent me palët për të sqaruar debatin. Me qëllim normalizimin e situatës, Ademi ka pasur një takim kokë më kokë me sponsorin Xhaferi të shtunën në ambientet e bashkisë
Burime të sigurta i thanë gazetës se kryebashkiakja ka kërkuar që vëmendja e të gjithëve të jetë nga rezultatet dhe jo nga problematikat që mund të kenë dalë. Në vend që të gëzojnë këto momente të bukura që po kalon ekipi, drejtuesit më të lartë të klubit duket se kanë gjetur shkak për të nxjerrë në pah problemet mes tyre, pikërisht duke kulmuar me një incident gati banal para ndeshjes me Elbasanin, ku policia bashkiake ka penguar për pak minuta futjen në stadium të Xhaferit dhe miqve të tij. Palët kanë nxjerrë në pah një problematikë të fshehur mes tyre, por thelbi është pa dyshim çështja e kompetencave dhe mosndarjes së qartë të tyre.
Pra, Vllaznia është një klub që drejtohet nga dy “koka”, me administratorin që është zyrtarisht numri një dhe sponsorin Xhaferi, i cili ka ndërtuar ekipin e këtij sezoni. Duke pasur një kaos të tillë kanë ardhur edhe ndërhyrjet në komptencat e njëri-tjetrit. Kjo ka sjellë një pakënaqësi që anon më tepër nga ana e donatorit Xhaferi. Një mbivendosje të kërkesës së llogarisë dhe një paqartësi të pozicioneve që ka njëri apo tjetri, ka bërë që situata mes dy drejtuesve të precipitojë në incidente që duken qesharake. Megjithatë, ndërhyrja në kohë e kryebashkiakes, do të bëjë të mundur stabilitetin e situatës, paçka se diçka e tillë mbetet për t’u parë në vazhdimësi. /Nga Admir URUÇI/
LAJMIN E PLOTË MUND TA LEXONI NË VERSIONIN PRINT TË GAZETËS “PANORAMA SPORT”