LSI sapo mbylli procesin e zgjedhjeve në parti. LSI u krijua si fraksion politik i të majtës më 2004 pas konfliktit politik personal midis mbështetësve të kryetarit të PS Nano dhe të ish kryeministrit të PS Meta. Figurat e para drejtuese të LSI ishin emra të njohur të jetës politike e publike (Meta, Xhufi, Brokaj, Braho, Klosi, Prifti, Legisi, etj), por pas 2009, vetë LSI u nda midis grupit dominues mbështetës të kryetarit Meta që hynë në koalicion qeverisës me PD dhe grupit të majtë që refuzoi koalicionin, e për pasojë, u largua prej saj.
Referuar të dhenave të përpunuara nga ISP midis 2005-2019 LSI rezultatin më të ulët e ka më 2009, e megjithatë zgjedhjet 2009 shënuan ardhjen e saj në pushtet. Pas 4 vitesh bashkëqeverisjeje me PD më 2013 LSI ishte në koalicion me PS duke u bërë pjesë e “1 milion shuplakave” politike kundër qeverisë së PD dhe për rrjedhojë, pro rotacionit politik. Pas 4 vitesh bashkëqeverisjeje me PS më 2017 PS-LSI votuan zgjedhjen e kryetarit të LSI si President të Republikës dhe më pas hyrjen të ndara në zgjedhje.
Më 2017 LSI e rriti ndjeshëm përfaqësimin parlamentar, duke arritur rezultatin më të lartë historik të saj, megjithatë, kaloi në opozitë. Më 2019 ajo dorëzoi kolektivisht mandatet parlamentare dhe pjesa më e madhe e vendeve të lira u zu nga kandidatët rebelë të listës së saj proporcionale. Nga 2004 LSI ka pasur 3 kryetarë, Meta (2004-2017), Vasili (2017) dhe Kryemadhi (2017-2024), ku kryetari i parë dhe ajo aktuale janë njëherësh bashkëshortë.
LSI bëri zgjedhje për kryetar më 21.11.2020, zgjedhje, të cilat nuk patën monitorim të pavarur dhe as kandidatë alternativë në garë. Zyrtarisht u tha se morën pjesë në votim 44413 anëtarë ose 80%, nga të cilët, 42807 vota ishin pro kryetares aktuale nga 55034 anëtarë zyrtarë të kësaj partie. Sfida kryesore e LSI janë zgjedhjet e vitit 2021, gjatë të cilave ajo pritet të jetë në marrëveshje politike me partitë e opozitës dhe me synimin e saj të dyfishtë politik, rotacionin politik dhe mbijetesës me përfaqësim serioz politik përballë bi-polaritetit të përhershëm PS-PD.
LSI është parti ideologjikisht e majtë, anëtare e PES dhe forca politike më e suksesshme në identifikimin dhe ushtrimin e modelit klientelist të pushtetit, model, i cili aplikohet gjerësisht edhe nga partitë e tjera politike, përfshirë ato tradicionale dhe partitë e reja periodike politike. /Instituti i Studimeve Politike (ISP)/