Ajo që ka ndodhur këtë të djelë në Podujevë e kapërcen cakun e një palë zgjedhjeve të parakohshme lokale. Duke mundur së bashku edhe partinë e Isa Mustafës edhe PDK-në, liderët e së cilës gjenden në Hagë, Albin Kurti dhe kandidati i tij Shpejtim Bulliqi, nuk kanë fituar një komunë. Ata mposhtën tok, kastën e vjetër, i dhanë dërmën, në bastionin e tyre, sharlatanëve politikë të tipit Agim Veliu, zhvlerësuan me përbuzje manovrat meskine të Isa Mustafës dhe i hoqën tullën e fundit një qeverie që qëndron në detyrë kot së koti, pa mbështetje popullore.
Në këto zgjedhje lokale, të zhvilluara në një nga zonat që LDK-ja i fitonte tradicionalisht, Vetëvendosja arriti të grumbullojë shumicën absolute (51.6%) duke shmanngur madje dhe turnin e dytë.
Natyrisht, shpjegimi i kësaj fitoreje, sado spektakolare të ngjajë në dukje, është tepër i thjeshtë në realitet.
Garën Albin Kurti dhe VV e patën tepër të lehtë me rraqet politike që kishin përballë. Ata shkuan drejt kësaj sfide me petkun e një force që u ishte bërë padrejtësi kur i rrëzuan nga pushteti me puç, marsin e shkuar.
Ata shkuan me aureolën e faktorit të vetëm që sendërzonte votën popullore për ndryshim, të 6 tetorit 2019. Ata shkuan me moralin e atyre që e lënë pa drojë pushtetin duke mos vënë karrigen mbi interesat e Kosovës.
Dhe kë kishin përballë?
Treshen më të diskrdituar të partisë së vjetër të Rugovës, Mustafa-Hoti-Veliu, që tradhëtoi në mënyrën më të pështirë zgjedhësit e saj. Një parti që u a kërkoi votën të vetëve duke thënë se do përmbyste shtetin e kapur nga Hashim Thaçi dhe u shndërrua shumë shpejt në patericën e tij. Një parti që në opozitë përbetohej kundër mini Shengenit, e pastaj e firmoste pa kokëçarje, në takimin më të padinjitetshëm që i rezervuan në zyrën ovale. Një parti që “besimin” e kërkonte me Vjosa Osmanin, dhe pasi mbaronte zgjedhjet e përjashtonte atë pa iu skuqur fytyra se pati mashtruar.
Bashkë me të humburit u rendit edhe PDK-ja e cila nuk rikuperoi dot aspak nga situata patetike e krijuar pas marrjes së liderëve të saj në Hagë. Kjo parti që prej vitesh është kacavjerrë pas pushtetit, po paguan edhe çmimin e gjatë të keqeverisjes, por edhe dorën e fshehtë të ish presidentit.
Mbi Partinë Demokratike ende rëndon hija e Hashim Thaçit për rrëzimin e një kabineti të ligjshëm në kulmin e pandemisë, për manovrat okulte që përdori së bashku me ambasadorin Grenell, për qëllime të mbrapshta, për përdorimin e paskrupullt që ai u bëri deri në fund liderve burokratë të LDK-së.
Rezultati qe si një lakmues për të kuptuar atë që ndodh realisht në gjithë vendin.
Vetvendosja fitoi e vetme kundër të tërëve, pasi të gjithë u bënë bashkë për të mbrojtur status quo-në; Për të ndërtuar koalicione, qëllimi i të cilave është vetëm të grabisin shtetin: Për të vënë në punë të njëjtin mekanizëm -, që i përzgjedh njerëzit, nga bordet publike deri te kryetari i shtetit-, jo në funksion të meritave, por të pazareve.
Në këtë kuptim, zgjedhjet e së dielës në Podujeve ishin një klithmë, se në gjendjen ku ndodhet, Kosova ka nevojë urgjente për ndryshim. Se njerëzit duan shpagim për talljen që i’u bë në marsin e kaluar. Se votuesit po kërkojnë të rikthejnë me votë dhe institucionalisht, legjitimitetin që një kastë ua vodhi pabesisht.
Natyrisht, nga pikpamja taktike, ndonëse fitoi me Bulliqin, Vetëvendosjes nuk i leverdis një rikthim i shpejtë në pushtet. Në këtë situatë pandemie, me pasojat afatgjata ekonomike që ajo do të lërë, me sfidat e ardhshme të dialogut me Serbinë, qeverisja është një patate e nxehtë, që askush s’do të donte ta mabante në duar.
Por, paradoksi është se ajo e ka luajtur aq fort kartën e diskrditimimit të kastës së vjetër dhe politikanë të tipit Mustafa, Veliu, Hoti janë përpjekur aq shumë për ti vërtetuar tezat e saj, sa e kanë pamundësuar çdo alternativë tjetër.
Prandaj, sot, Kosova ka më nevojë të shpejtojë drejt Vetëvendosjes, sesa kjo e fundit të nxitojë drejt pushtetit. /Nga Andi BUSHATI, Lapsi/