Faruk Kalleshi, një nga emrat më të mëdhenj të sportit shqiptar në vite, ka sot një ditë të veçantë. Kampioni i padiskutueshëm i peshëngritjes, feston 75 vjetorin e lindjes. Pikërisht me 6 dhjetor, Faruk Kalleshi feston këtë përvjetor të rëndësishëm. Sigurisht, nuk do të mungonte urimi i bashkëshortes, Liliana Kalleshi, e cila prej 50 vitesh është bashkëudhëtare e mjeshtrit të madh.
“Sfida e një Kampioni në 75-vjetorin e lindjes së tij
Faruk Kalleshi (06/12/1945)
– 50 Vite Martesë (1970-2020), një sfidë e realizuar me sukses, ndërtuam një familje me shumë dashuri, me dy fëmijë të mrekullueshëm që na bënë gjyshër. Nuk ishte aspak e lehtë por ne të dy ja dolëm me sukses.
– 30 Vite Art së Bashku (1960-1990), u rrita me ty që 9-vjeçe, performuam në të gjitha skenat shqiptare, realizuam numra botëror, morëm duartrokitjet e artdashësve, përjetuam emocione pafund të bashkuara me ndjenjat për njëri-tjetrin.
– 21 Vite Kampion Absolut, kam përjetuar çdo garë tënden sportive si të ishte e imja, djersën e derdhur të rezultateve e kam prekur me duart e mia sa herë që laja rrobat e stërvitjes, lodhjen sfilitëse e kam ndjerë në frymëmarrjen tënde, vuajtjet dhe sakrificat i kam parë në rrudhat e parakohshme të fytyrës dhe gëzimin tënd e kam ndjerë kur kam prekur çdo Medalje dhe Kupë të marrë.
– Të qënurit Prindër, edukuam dy fëmijë të mrekullueshëm, edhe pse shumë të ngarkuar në karrierat tona, ia dolëm ti shkollojmë dhe edukojmë, ti jepnim jetës së tyre drejtimin e duhur. Dy fëmijët tanë të mrekullueshëm Anila dhe Endriti.
– Sfida e moshës, vazhdoj të të përkushtohem si në ditën e parë të martesës, gëzojmë dhe shijojmë së bashku gjithë vlerësimet që na bëhen dhe na janë bërë ndër vite. Pas 61 vitesh njohje, ishe shoku im i artit, u bëre shoku im i jetës, dhe tani pleqërojmë në një familje të lumtur me nipër dhe mbesa dhe tashmë të çliruar nga pesha e jetës.
Jetofsh përjetësisht,
E gëzofsh ditëlindjen e 75-të shoku im i jetës, nga Liljana”, shkruan Liljana Kalleshi në shënimin e saj.
Në këtë përvjetor të rëndësishëm, ShkodraWeb Media uron kampionin Faruk Kalleshi: Jetë të gjatë e të lumtur me të dashurit e zemrës tënde!