Shquhemi si popull gjaknxehtë. Për hiçgjë zihemi e shamatohemi, grindemi, rrihemi, madje për hiçgjë, e çojmë dorën tek “brezi” dhe jo “gishtin tek koka” për të menduar thellë e më thellë. Kjo na ka sjellë në mënyrë recidive situata të turbullta këtu e mot, situata që nuk dijnë të na ndahen në ecjen tonë. Dëgjojmë fare pak ose aspak. Bëjmë si të na shkrepë në kokë në një dekik të vetëm pa u vetpërmbajtur. Ndaj dhe jemi këtu, një hap para e dy hapa mbrapa.
Për fat të keq, gjakun e kemi në sy, dhe e ndjellim atë rast e pa rast. E ndjell ai që shamatohet ne mënyrë vulgare për kapriçozllëk, por më e keqja e ndjell dhe ai që nuk duhet ta ndjellë pasi e ka mision, punonjesi i shtetit. Kjo mospërmbajtje para të keqes, dhe para bërjes llogari të çdo veprimi me shumë maturi dhe jo me instikt, duket se na ka kthyer në kohën e barbarisë dhe primitivizmit atavik.
Pastaj hakmarjen e kemi pjesë të fortë në skutat e errëta të ndërgjegjes sonë, ku duket se cenet dhe çedimet bëzajnë thellë nga honet e viteve, për t’u rikthyer.
Ka një shënim interesant famullitari tirolez Fabian Barcata në Rubik këtu e 115 vite më parë, pikërisht 7 Nëntor 1905. Në ditarin e tij shënon: “Për se të vlen urrejtja, Mark?”, dhe vazhdon: Sot lejova M. P. të vinte tek unë. Ai është prej kohësh në gjak me familjen K… Dikush nga familja e ketij te fundit kishte vrarë birin e tij. Kjo kishte ndodhur para shtatë viteve. Unë doja të ndërhyja dhe për këtë iu luta me fjalë bindëse, që të falte dhe të harronte.
Për se të vlen urrejtja? Me këtë i sjell vetes pakënaqësi, ndërkohe që shkatërron dhe familjen e vrasësit. Kanë kaluar shtatë vjet që nga vdekja e fëmijës, dhe deri tani s’ke mundur të hakmerresh, ngaqë familja dhe fisi K… janë arratisur dhe sillen si të pastrehë nëpër këtë botë të madhe. Burri hodhi sytë nga zjarri (ne ishim në kuzhinë) dhe as që donte t’ia dinte për pajtimin. Kur u çua të ikte, bëra një copë rrugë me të. Duhej të kalonim nga varrezat. Papritmas u ndal aty, bëri me dorë nga një varr, pastaj nga një tjetër dhe më tha: këtu nëna e fëmijës tim ka shkulur flokët e kokës, këtu duhet të shkulë flokët e kokës dhe nëna e vrarësit!…
Ja, këto janë shënimet e famullitarit austriak, që e kishte kuptuar “dellin idhnak” të malësorit e shqiptarit më mirë se vetë ne shqiptarët këtu e 100 e ca vite të kaluara.
Në punën time si gazetar, që në fillimet e demokracisë, përmes shkrimeve, intervistave a të tjera, jam munduar të “bërtas” fort kundër një të keqe të madhe, që lidhet me konfliket e ashpra. Më ka trembur “gjaku” sa s’ka. Këtij i duhej ruajtur kushdo, edhe krimineli më i pashpirtë, pa le më një njeri a qytetar normal. Aq më tepër ai që mban rrobet e shtetit. Po shkove tek “gjaku”, e keqja më pastaj vlon, është vështirë të zgjidhësh gjë, jo vetëm për një moment, jo vetëm për një situatë, por dhe për vite, dekada apo shekuj. Sepse ne jemi rracë e tillë që nuk dijmë të harrojmë kurrë kur gjaku na mbin në sy apo na bie në derë!
Por, që t’i eleminojme emocionet e gjaknxehtësisë, na duhet shumë më tepër durim, edukim, kulturë, trashëgimi të mirë e pozitive, na duhen shembuj që vijne nga bota e humanizmit dhe pacifizmit dhe jo bota e gërgasësve (Këto kohë në rrjet janë shtuar shumë e bërë kapicë).
Kjo kulturë, kjo mënyrë të menduari e të vepruari pa “gjak në sy”, duhet luftuar fort për t’u rrënjosur tek çdo qytetar i këtij vendi, por shumë më tepër tek ai me “rrobat e shtetit” veshur!… /Nga Gjergj MARKU, gazetar/