Ditën e sotme, i deleguari i PS-së për Qarkun e Shkodrës, Ilir Beqaj, si specialist i PR-it, është përpjekur të mbajë “në këmbë” si kauzë protestën e 12 dhjetorit të zhvilluar në Shkodër. Ndërsa protestat nuk ndalen në Tiranë e në shumë qytete të tjera, Beqaj përpiqet ta paraqesë Shkodrën si “delen e zezë” të këtyre protestave. Se sa të rënda ishin dëmtimet në selinë e PS- së Shkodër, u pa qartë: Ato u riparuan brenda më pak se 4 orëve. Sepse në fakt, nuk pati dëmtime të dukshme veç disa xhamave dhe një dere. Disa orendi të pavlera dhe banera propagande, bashkë me disa karrige njëpërdorimëshe, u nxorrën jashtë dhe u dogjën. Kjo është e pavërteta e parë e publikuar nga Beqaj: Nuk ka patur një zjarrëvënie ndaj selisë së PS- së Shkodër, siç aludon apo edhe shpresonte ai. Ndoshta edhe për ndonjë projekt shumëkatëshi, siç po përflitet.
Beqaj përpiqet të rradhisë “fakte”, një prej të cilëve, lidhur me thirrjen e protestës. Është fakt tashmë i njohur, se iniciativa ishte e një faqeje në Facebook, Monella Vagabonda, e cila të paktën për shkodranët, është mjaft e njohur. Në Shkodër thonë “plasi sytë”, është fakt publik: Protesta nuk u thirr të premten por të enjten zyrtarisht (detaj i vogël, por që evidenton një të pavërtetë). Ndërsa në rrjet, ideja e protestës qarkullonte menjëherë pas të parës që u zhvillua në thyerje të “orës policore” në Shkodër. (Meqë ra fjala, atë ditë policia ishte pushim? Sepse nuk pati asnjë komunikatë dhe asnjë masë për protestuesit. Ishalla nuk po bëhemi shkas që të kujtohen). Është e vertetë se u përfshi edhe selia e PS- së në itinerar, siç edhe prefektuara apo bashkia. Sepse çdo protestë ka dhe duhet të përcjellë simbolikën e saj. Sa për informacion dhe mund ta verifikoni edhe përmes video “live”, u tentua të sulmohej edhe Bashkia e Shkodrës por disa qytetarë i detyruan adoleshentët të largohen.
E pavërteta tjetër lidhet me rolin e kryebashkiakes Ademi dhe “organizatorëve” të tjerë të protestës. Gazetarët atë ditë, as nuk e kanë parë e kontaktuar me kryebashkiaken e Shkodrës. Vetëm një media, rastësisht e ka filmuar aty nga fundi i kortezhit të protestës, me bashkëshortin e saj. Beqja e di por edhe të tjerë më lart se ai, se qytetarja e parë e Shkodrës nuk ka ngurruar të dalë në ballë të protestave. Është konstatuar gjatë muajve të vështirë para e pas 30 qershorit 2019. Por në protestën e 12 dhjetorit 2020, ajo dhe as ndonjë nga emrat që policia i “identifikoi” si organizatorë, nuk ishin organizatorë por pjesëmarrës si qindra të tjerë dhe që mendojnë ndryshe nga Beqaj, Rama e të tjerët. Sigurisht, policia nuk kishte asnjë shans që të mos listonte Ademin dhe të tjerët si organizatorë. Sepse që të mos ndodhë kështu, që me urdhër politik policia të hartojë edhe shkresat, protestat nuk po ndalen.
“Qershia mbi tortë” e deklaratës politiko- patetike të Beqajt, është keqardhja që nuk u cënuan zbukurimet e bashkisë për vitin e ri nga të rinjtë e revoltuar. Për fat të mirë, është kujtuar dhe ka shënuar në kllapa “për fat të mirë” sepse përndryshe, do të klasifikohej si humor i zi. Duke u nisur nga e kundërta, një metodë matematikore kjo që Beqja e njeh mirë, i bie që nëse do të ishin shkatërruar zbukurimet apo pema e vitit të ri, do të nënkuptohej se Ademi dhe 7 të tjerët, nuk do të konsideroheshin organizator apo jo?! A dëgjuat ju to policisë së Shkodrës? Kijeni parasysh në raste të tjera. Pak a shumë si ajo barcaleta e Luftës Nacional- Çlirimtare ku “partizanët u veshën si partizanë që gjermanët të kujtonin se ata ishin gjermanë të veshur si partizanë”.
E në fund, refreni që vazhdon nga vitit 1992, “Fajin e ka Saliu”, në mbyllje të “analizës” së Beqajt. Në fakt, Beqaj e di si është e verteta. Ashtu siç e kanë mësuar gazetarët, edhe ai duhet ta ketë dëgjuar nga një koleg shumë i rëndësishëm i tij në Shkodër. Përveç kryebashkiakes së Shkodrës, edhe ky personi i ka telefonuar policisë sapo ka nisur thyerja e xhamave të selisë së PS-së. Dhe përgjigja që ka marrë, ka qenë e thjesht, e shkurtër, e qartë: Akoma nuk kemi urdhër për të ndërhyrë! E ky personi, është jo pak i pushtetshëm. Kaq po themi tani për tani! Edhe zëri i tij, është i regjistruar! Madje, në telefonat e shefave të mëdhenj. Siç është normale në punën e policisë, në rradhët e protestuesve, ka patur edhe civilë në sherbim. Disa prej tyre, gazetarët i njohin. Ata jo vetëm kanë fotografuar e filmuar, por kanë qendruar në afërsi të “organizatorëve” për të kapur ndonjë “detaj kompromentues”. Pyesni edhe ata, sepse e keni mundësinë dhe listën e gjeni lehtësisht.
Më flagrantja, është lënia në mëshirë të disa adoleshenteve e selisë së PS-së nga vetë strukturat e shtetit, policë të zakonshëm, me apo pa uniformë dhe me veshje speciale për protesta. Kur kortezhi i protestuesve kaloi para selisë rozë, u thyen vetëm dy xhama: Ai i derës kryesore dhe i një dritareje! Pasi protesta përfundoi duke u kthyer në vendin e nisjes, sheshi “Luigj Gurakuqi”, pse policia nuk mori në mbrojtje selinë e PS-së?! Apo duhej edhe një “djegie Rajhshtagu” në Shkodër për të justifikuar gjithë këtë perqendrim të pakuptueshëm politiko- mediatik?!
Nuk ka dyshime se ky ishte një tjetër skenar. Taulant Balla ka të drejtë. Po, është përgatitur në Tiranë. Është menduar me detaje, por mesa duket u ngeci në dorë nga “aktorët” e këqinj në Shkodër. Sepse qytetarët shkodranë, nuk ranë pre e një grupi adoleshentësh. Madje, shumë syresh, u përpoqen me të gjitha mjetet ti ndalnin, duke rrezikur mbi kokat e tyre gurët e xhamat e thyer. Mediat që ishin “live”, e kanë vertetuar tashmë. Ajo që është deri diku e papranueshme, është bashkimi në orkesët me “violinën e parë” të disa “violinave” shkodrane që për shkak të pozicionit, të informacionit që kanë, nuk duhet të “luajnë” këtë melodi që nuk i sherben Shkodrës e imazhit të saj. Sigurisht, janë të detyruar politikisht të rreshtohen, por të paktën ta bëjnë duke heshtur. Beqaj është sot i deleguari i PS-së në Shkodër, nesër do të jetë në Tiranë apo diku tjetër. Të gjithë ne do të vazhdojmë të jetojmë në këtë qytet, të shohim njëri- tjetrin në sy, të qeshim e të qajmë për të njejtat gëzime e derte.
Nuk duhet harruar në asnjë moment, në themel të këtyre protestave, është jeta e humbur e një 25 vjeçari nga dora e Policisë së Shtetit. Nuk është mirë të bëhet politikë. Aq më shumë kur shpërthimi i zemërimit vjen pas akumulimit gati 8 vjeçar. Dhe pikërisht nga të rinjtë, adoleshentët që me të drejtë, ndjehen më të nëpërkëmburit, më të anashkaluarit, më të pashpresët në një vend që edhe pak duket se përfundon fazën e “privatizimit” nga vetëm një dorë. /Shënim i ShkodraWeb Media/
P.S. Për korrektesë, po përcjellim të plotë edhe analizën e të deleguarit të PS-së për Qarkun Shkodër, Ilir Beqaj.