Ndahet nga jeta e kësaj bote z. Ismajl Muçej, një personalitet, poliglot dhe intelektual shkodran. Ai ishte kryeredaktori i parë i gazetës, sot revista “Drita Islame”, themeluar në vitin 1992 nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë dhe njohës i 6 gjuhëve të huaja. Lajmi është dhënë në rrjete sociale nga miq e të njohur të të ndjerit.
Sipas asaj që shkruan Islam Dizdari, Ismail Muçej lindi më 14.12.1924 në Shkodër. Jeta e këtij burri është plot kthesa dhe të papritura të mundimshme. Bie e ngrihet, e ka të vështirë, por nuk dorëzohet, nuk thyhet, vazhdon e ecën gjithnjë përpara. Ndoqi studimet në Medresenë e Përgjithshme të Tiranës ku u shqua si nxënës i shkëlqyeshëm. Që në bankat e shkollës përvetësoi mjaft mirë arabishten, anglishten, frëngjishten dhe italishten. Falë kësaj përgatitjeje iu sigurua bursa për në Institutin Oriental të Napolit. Por kjo nuk u arrit. Shkaqet nuk po i përmendim. Janë politike.
Si medresist mori pjesë në shumë veprimtari atdhetare kundër pushtuesit, më vonë u aktivizua në organizatën e Ballit Kombëtar, madje kontribuoi në themelimin e çetave në Pukë e në Kukës dhe kreu detyrën e përkthyesit pranë misionit anglez në veri të Shqipërisë. U lidh dhe bashkëpunoi me nxënës të shumë shkollave të vendeve të huaja, si: Belgjikë, Itali, Turqi, Indi etj., me të cilët shkëmbente literaturë historike, letrare, fetare e shkencore. Iu përkushtua publicistikës duke qenë bashkëpunëtor i rregullt i revistës “Zani i Naltë” “Kultura Islame” dhe “Njeriu”. Që krejt i ri, pa i mbushur të njëzetat replikoi plot kompetencë me njërën nga gazetat e njohura shtetërore të asaj kohe (1944) “Bashkimi i Kombit”…
Më 6.11.1952 arrestohet, ku në fillim dënohet me vdekje që iu kthye në burgim me 20 vjet. Akuzat nuk po i përmendim, ato janë falsifikime të qëllimta të një prokurorie ogurzezë. Këto akuza u përsëritën me qindra herë ndaj burrave të nderuar të kombit tonë, ndaj ajkës së inteligjencës së vendit tonë, ndaj të moshuarve dhe të rinjve. Sundonte injoranca, egërsia, që aq mirë e kemi njohur, sundonte lufta e klasave. Pas viteve sfilitëse në punët e rënda të kampeve famëkeqe, tani ndryhet në burgun famëkeq të Burrelit. Këtu zotëri Ismaili kaloi ditët e gjata të pjesës më të bukur të rinisë së tij. Burgu qe një shkollë e vërtetë, një vatër me shumë vlera edukimi, burrërie.
Në ato vrima të zeza të birucave të burgut ku diktatura i kishte ndryrë bijtë më të mirë të popullit për t’i thyer, aty u rritën dhe u edukuan heronj të vërtetë. Sikurse kujton vetë zotëri Ismaili: “… ishte ai mjedis, ajo frymë kulture e pjekurie që t’i largonte vuajtjet fizike e brengat shpirtërore dhe e mbante njeriun me shpresa se nuk ka mbaruar gjithçka… Aty gjeta mësuesin e fundit të jetës sime, edukatorin e shquar në të gjitha fushat e kulturës që mbeti për mua si edukator dhe dekan i universitetit të jetës. Ky ishte eruditi Et’hem Haxhiademi, nga Elbasani…”
Veprat që shkroi janë shembulli më i qartë se deri ku arrin vullneti dhe këmbëngulja e njeriut, këto vepra as një institut i organizuar nuk do të mund t’i realizonte, e pra i vetëm pa ndihmën e askujt ai i hartoi dhe më në fund i bëri gati për botim. Por, e them me dhimbje, ato janë ende në dorëshkrim. Ja të japim një panoramë të shpejtë të tyre:
Fjalori Arabisht-Shqip me 45.000 fjalë dhe 20.000 shprehje prej 2.000 faqesh.
Fjalori Shqip-Arabisht me 25.000 fjalë dhe 30.000 shprehje prej 1300 faqesh.
Metodë e mësimit të gjuhës arabe, e përkthyer nga Gaspary Otto Sauer, orientalist i shquar gjerman.
Feja dhe misioni i saj, me 350 faqe.
Pse përqafova Islamin, 120 faqe.
Pohime të një spiuni anglez, 70 faqe.
Rendi i ri botëror, 100 faqe.
Si arriti Kur’ani deri në ditët tona, 70 faqe.
Ka redaktuar një numër të madh librash fetarë, ka botuar me qindra artikuj në organe të ndryshme shtypi brenda e jashtë vendit, ka mbajtur ligjërata në simpoziume e veprimtari të tjera shkencore brenda e jashtë vendit, si në Vjenë, Marok, Libi, Londër, Arabi Saudite etj.