Pata fatin ta njoh (fatkeqësisht në rrethana që s’do doja kurrë) familjen Rasha. Një familje e madhe dibrane, me djem fisnikë e burra të fjalës, mirëkuptimit, durimit, mikpritjes…
Nuk po komentoj fare pjesën pse kjo familje është ndër më të njohurat sot për sot në Shqipëri, sa dua të veçoj aspektin njerëzor të gjithë debatit që ka në qendër të artikulimeve këtë familje.
Kazani i informacionit nga njëra anë, ai i politikës nga ana tjetër, mllëfi i shoqërisë ndaj dy të parëve përfund, hera-herës vendosën në diskutim edhe familjen Rasha. Një diskutim i nxituar, i pabazuar, jo meritues. Ne të kazanit të informacionit, kemi mbase më tepër informacion për kazanin politik dhe mllëfin e shoqërisë sikurse edhe për Klodianin e ndjerë, për të cilët rezistojmë për hir të rrethanave që të shprehemi, ndërsa zgjedhim me të drejtë shpesh, që të vërtetën të mos e themi vetë, por vetë protagonistët, madje kur nuk duan ta thonë ti detyrojmë ose nxjerrim lakuriq.
Ne nuk dinim deri dje se kjo familje ekzistonte dhe sot pas dy të shtënave që ngritën peshë një komb, mësuam se pikërisht ky komb duhet të jetë i vetëdijshëm për ruajtjen e çdo familjeje shqiptare, vlerave të saj, të jetë mirënjohës ndaj tyre e ti mbajë sa më gjatë në gjirin e tij.
Familja Rasha e ka lakun në fyt, nga presioni i gjithanshëm i kazanëve të çdollojshëm e çuditërisht, të paktën për mua personalisht e profesionalisht, mbetet stoike dhe surprizuese, teksa vetëm pak minuta më parë, si të isha mik i hershëm i saj, dikush prej tyre më tha “ti e ke derën të hapur”.
Ta kesh lakun në fyt do të thotë as më shumë e as më pak ku prozhektorët e kohës që jetojmë, të të gjitha sferave e interesave të jenë drejtuar për nga ty, me qëndrime, reagime, veprime e mosveprime… Ku përplasen interesat skajshmërisht të kundërta e të gjitha sikur kanë në qëllim interesin e familjes dhe drejtësisë, ku në fakt shpesh ndodhi që kjo familje iu desh të përballej me këtë përplasje që bëhej për “hir të saj”, diku për kredo politike, mediatike diku, e diku tjetër mburojë nga fajet që s’kanë të falur.
Kur shtrëngova duart për herë të fundit me Qazim Rashën, lexova në sytë e tij lodhje ndërsa dhimbja për të birin i kishte krijuar një kore thuajse të dukshme në gjithë fytyrën, por nuk e lëshonte veten, as kur më thotë me gjysëm zëri se “ma shpikën një bijë në protestë”, apo “po më përdorin emrin e djalit” por edhe “drejtësi me drejtësi se ndryshe është vrasje e dytë”, shto edhe “politika të qëndrojë larg, unë jam kryefamiljar i familjes sime”.
Familja Rasha, pavarësisht krahëve prej nga kanë ardhur rrymat e derisotshme, e do vijnë natyrisht edhe stuhi të tjera ku therjet më të forta do t’i ndjejë ajo vetë, është një aset kombëtar në këto kohë rrufjanësh e fodullësh. Ajo përballë këtyre dallgëve edhe mund të duket në disa raste sikur “po shet gjakun”, “po han presionin” apo “po pajtohet me padrejtësinë” kur në fakt me këto terma keqdashës që shqipërohen nga zemra të liga që s’përmbajnë urrejtjen ndaj dikujt tjetër, po ia ngushton lakun. Një familje me dashuri të tillë për vendin, shtetin, jetën, të ardhmen edhe rrevoltën mbi padrejtësinë po të doni, është fatkeqësi ta shtrydhim e ti shkaktojmë dramë mbi dramën.
Nëse sot shoqëria shqiptare kërkon me të drejtë një kauzë anti-shtetit që edhe të vret, s’është më një emër dhe një familje. Shqiptarët e kanë parë këto ditë handikapin e madh, oh sa kauza nxirren nga gjithë kjo. Klodiani të na udhëheq tashmë shpirtërisht, ideologjikisht dhe praktikisht kjo rrevoltë ka nevojë të strukturohet dhe formojë rrënjë, rrënjë që nuk duhet të mbijnë në oborrin e shtëpisë së Qazim Rashës por të çdo votre shqiptare që kërkon reformimin e shtetit.
Humbja e familjes Rasha në dukje si egoiste por praktikisht e vërtetë, është një Fitore për Shqipërinë, një fitore që i jep krah kujtdo që ka pasur dyshime e kujtdo që deri dje mendonte se të nisësh një udhëtim të ri në këtë vend është vetëm ia i pakthimti. Krah për të përqafuar kauza, jo kundër shtetit por kundër mentalitetit të gabuar e vrastarë të shtetarëve. Kauza jo kamikazësh, por patriotësh! A kanë familjet shqiptare djem e vajza patriotë?
Unë po ju flas për njërën, atë që deri dje se njihte askush, vetëm në familjen Rasha kam njohur plot!!! /Nga Fatjon GJINAJ/