Ndonëse Shqipëria nuk llogaritej në vendet fituese të Luftës së Parë Botërore, në fund të vitit 1920, si pasojë e ndikimit të fortë britanik në ngjarjet e këtij viti, ajo realizoi anëtarësimin në Lidhjen e Kombeve. Zëdhënës i politikës shqiptare u bë deputeti anglez Aubrey Herbert, i cili qysh më 1913 kishte ngritur Komitetin Shqiptar me qendër në Londër.
Ai bisedoi me sekretarin e parë të Departamentit Qendror të Forin Ofis-it Harold Nicolson, i cili kishte shfaqur përkrahjen e tij. Më 2 tetor 1920, Qeveria Shqiptare kërkoi pranimin e saj në Lidhjen e Kombeve dhe dërgoi në Gjenevë një delegacion të kryesuar nga Fan Noli. Kërkesa e ligjshme e Tiranës zyrtare gjeti kundërshtim te Mbretëria Serbo-Kroato Sllovene (MSKS), Greqia dhe Franca, me përligjjen se nuk kishte mbaruar çështja e vendosjes përfundimtare të kufijve.
Më 12 tetor 1920, kryetari i delegacionit shqiptar në Konferencës e Paqes në Paris, Pandeli Evangjeli, i dërgoi një letër sekretarit të përgjithshëm të Lidhjes së Kombeve, Eric Drummond, në të cilën shprehte dëshirën që në mbledhjen e 15 nëntorit të merrte pjesë edhe Shqipëria. Sekretari i përgjithshëm i Lidhjes së Kombeve, në përgjigjen e tij të 20 tetorit 1920, kërkoi kopje autentike të dokumeteve ku provohej shpallja e pavarësisë, si dhe kopje të deklaratave të qeverive që kishin njohur “de facto” ose “de jure” Qeverinë Shqiptare.
Delegacioni shqiptar i kryesuar nga Fan Noli, mbërriti në Gjenevë më 12 nëntor 1920 dhe paraqiti si dokumente traktatin e Londrës të 30 majit 1913, përmbledhje të aktit të 29 korrikut 1913 si dhe statusin organik të 1914-s. Më 22 nëntor 1920, delegacioni shqiptar paraqiti edhe një kërkesë prej 15 kapitujsh për pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, për shqyrtimin e së cilës u ngrit një komision i posaçëm.
Më 17 dhjetor 1920 çështja kaloi në Asamblenë e Përgjithshme të Lidhjes së Kombeve. Në fillim të seancës fjalën e mori përfaqësuesi i Afrikës së Jugut (dominon britanik) Lordi Robert Cecil si dhe përfaqësuesi i Kanadasë (dominon britanik) N. W. Rowell, të cilët propozuan pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve. Dukej qartë mbështetja britanike ndaj Shqipërisë.
Në votim kërkesa shqiptare mori votat e 35 shteteve që ishin: Afrika e Jugut, Australia, Belgjika, Bolivia, Brazili, Britania e Madhe, Kandaja, Kili, Kina, Kolumbia, Kuba, Danimarka, Spanja, Franca, Greqia, Guatemala, Haiti, India, Italia, Japonia, Liberia, Nikaragua, Norvergjia, Zelanda e Re, Panamaja, Paraguaj, Holanda, Peruja, Portugalia, Rumania, Salvadori, MSKS, Siami, Çekosllovakia. Nuk morën pjesë në votim Argjentina, Hondurasi, Persia, Polonia, Uruguaj dhe Venezuela. /Nga Kastriot DERVISHI/