Vllaznia mundet në Laç në ndeshjen e fundit të fazës së parë, por vazhdon të qëndrojë në krye të klasifikimit. Ka qenë një ndeshje me dy pamje për kuqeblutë. Në 45 minutat e para, Vllaznia dominoi lojën dhe e kontrolloi atë në çdo moment. Megjithatë, pjesa e parë e mbyll me rrjeta të paprekura.
Në pjesën e dytë vendasit ishin më këmbëngulës, më agresivë. Duhet thënë se laçjanët kërcënuan më shumë portën e Vllaznisë, edhe pse në fakt, ishin shkodranët ata që goditën traversën e vendasve në të 68- ën me Imerin.
Kur mendohej se ndeshja do të mbyllej në barazim, vjen një gol vertetë i çuditshëm. Xhixho i Laçit gjuan pa shumë pretendime drejt portës së miqve dhe pas një devijimi të Imamit, Zogoviç e sheh topin ti përfundojë në rrjetë. Ishte minuta e 88- të dhe me gjithë 5 minutat e shtuara nga arbitri, rezultati nuk ndyshon.
Gjithsesi, Vllaznia vijon të jetë e para në klasifikim pavarësisht humbjes. Shkodranët kanë 19 pika, ndërsa me tre pikë më pak është Kukësi dhe me nga 13 pikë janë Teuta, Kastrioti dhe Tirana. Mbetet të luhet Partizani- Bylis dhe nëse “të kuqtë” fitojnë, shkojnë në kuotën e 15 pikëve. /ShkodraWeb Media/